Jam krenar se jam shqiptar, sepse Shqipëria është një nga kombet më të lashta të Ballkanit dhe shumica e shqiptarëve nuk janë përzier me rraca të tjera (mund t’i gjurmojmë parardhësit që nga vitet 1700). Jemi kombi më tolerant me besimet fetare. Jemi komb mikpritës. Shqiponja jonë ngjan me shumë shqiponja të tjera, por është më unike sepse tregon bashkim. Shqiponja si shpend është e pavarur dhe e ka folenë në lartësi (si luftëtarët shqiptarë). Rusët kanë shqiponjë me dy koka, kisha ortodokse ka dy koka, polakët kane shqiponjën e tyre, meksikanët kanë shqiponjën e tyre, amerikanët, gjermanët etj. Por shqiponja e zezë shqiptare ka histori të veçantë në sfondin e kuq është më unike se sa të tjerat, ajo shfaqet e tillë nga bijtë e bijat e saj. Mendoj se krenaria jonë shqiptare ka shumë burime. Një nga këto është se kemi një vend të bukur. Pra një shqiptar e ndjen mallin e atdheut kudo të jetë, pasi ka mall për klimën e mrekullueshme shqiptare. Një arsye tjetër është se Shqipëria ndodhet në udhëkryq civilizimesh botërore. Duke huazuar pakëz nga secili civilizim dhe duke trashëguar shumë nga kultura e stërlashtë iliro-pellazge Shqipëria ka një trashëgimi, ngarkesë kulturore dhe morale të pamasë. Një tjetër arsye është edhe mungesa e një feje kombëtare. Ne jemi një popull shumë ateist. Në këtë kohë kur bota dhe njerëzimi janë larguar dhe po largohen gjithmonë dhe më shumë nga feja ne shqiptarët u gjendëm në një situatë shumë të favorshme, sepse ne nuk kishim fe, prandaj kjo na jep një plus psikologjik në krahasim me të tjerët. Duke qenë se njeriu ka nevojë për një bosht psikologjik mendor, ne rrokëm menjëherë nacionalizmin. Një arsye tjetër është se Shqipërisë gjithmonë i është kanosur rreziku i shpërbërjes, është zhvilluar një propagande gjigande pronacionaliste nëpërmjet mjeteve propagandiste dhe tek shumë të rinj dikur kjo propagandë në periudhën e pubertetit ka lënë gjurmë të thella. Ne kemi gjuhën, e cila është shumë e ndryshme me ato të vendeve fqinje dhe na bën të diferencohemi qartë nga ata.

Mimoza Saliaj:Ne si ballkanas e kemi të zhvilluar ndjenjën e kombit e të patriotizmit, kjo ndoshta sepse kemi qenë gjatë gjithë kohës të piketuar për të na copëtuar fuqitë e mëdha. Kam lindur në Shqipëri dhe kjo do të thotë se jam shqiptare. Kombi ynë ka vlera dhe ne duhet të krenohemi.

Konxheta Trandafili: Mua nuk më preokupon fakti se si t’u shpjegoj të huajve ku jetojmë se pse jemi krenarë që jemi shqiptarë, por kur pyetja vjen nga fëmijët tanë të lindur jashtë Shqipërisë, mua dhe tim shoqi na duhen argumenta të shëndosha dhe me bazë. Fëmijët me sinqeritetin dhe duke qenë asnjanës dinë ta analizojnë me këndvështrimin e një të jashtmi. Nga këto biseda të shumta kanë dalë argumentat për të cilën ata thonë se duhet të krenohemi: për një popull aq të vogël që ka gjuhën e tij, e cila e veçon. Për paqen dhe tolerimin ndërmjet feve të ndryshme, duke kujtuar se ka popuj që janë akoma në luftë për këtë arsye. Dhe ajo që është më kryesorja, se nuk ka shkencë dhe argumenta në botë të shpjegojë pse çdo fëmijë e do nënën e tij sido që të jetë ajo.

Linda Kadiu Hajdhi: Kudo që kam shkuar kam deklaruar hapur që jam shqiptare. Jam krenare për vendin ku u linda, ku u rrita, ku njoha vetveten, njoha miq. Kam përshtypjen se cilindo të pyesësh nëse është krenar për vendlindjen e tyre, pavaresisht sesa i ka ofruar ai shtet, do të ta thotë me plot gojën që është.

Gjergji Zonja:Rilindasit u përpoqën si titanët t’i bindin shqiptarët se nuk duhej të turpëroheshin nga vendi i tyre, se ata kishin një atdhe të bukur, se kishin një gjuhë madhështore, një nga 5-6 gjuhët themelore të Europës dhe një nga 10-12 gjuhët themelore të botës, se ishin rracë e bukur trupërisht dhe tepër e aftë mendërisht, se kishin një histori të shkëlqyer, se gjëmat kombëtare nuk ishin arsye për t’u ftohur me atdheun, por përkundrazi për t’u afruar më fort me të.–I.Kadare- Kombi shqiptar në prag të mijëvjeçarit të tretë.

Entela Ramzoti: Jam krenare që jam shqiptare. Nëse do të mohoja këtë do të mohoja atë çfarë unë jam, miqtë, shokët, prindërit, vendin ku jam rritur. Atë vend ku besohet në zot, po jo në fe. Atë vend që u la në mëshirë të fatit se s’kishim as naftë e as miniera, por arriti të mbijetonte ashtu i varfër deri në kockë e me tollona duke hedhur diktaturën pa gjakderdhje. Ata bashkëatdhetarë që kur zbres nga treni në Bari nuk më lenë kurrë të zvarris valixhet, e i lëshojnë vendin të moshuarve që i shohin të habitur. Atë vend që nga uria ndërtoi e hodhi beton pa fund, por që tani shqetësohet për gjelbërim. Atë vend ku ka gjithmonë një fjalë të ngrohtë, aty ku unë them një batutë e më kuptojnë. Atë vend ku ka akoma njerëz që hedhin plehrat në tokë, po janë gjithmonë e më pak, e ku ka akoma gazetarë që mendojnë se realiteti jashtë këtij vendi është si në filmat amerikanë.

Fatmir Lazo:Të jesh krenar për origjinën tënde, nuk do të thotë që patjetër të jesh i përsosur, sepse kjo nuk ekziston në asnjë vend tjetër, përndryshe do të quhej parajsë. Nuk dua të bëj patriotizëm, por mund të them diçka, për vetë faktin që sot ne këtu shkruajmë dhe bisedojmë në një gjuhë që quhet shqipe, duke ditur sa herë ky vend është shkelur nga ushtritë e huaja. Ja, vetëm kjo të bën të jesh krenar! Kur një popull bën një të mirë për humanizmin, pikërisht aty ku vendet e mëdha kanë shkelur çdo shenjë humanitare, atë që Shqipëria bëri gjatë luftës, sigurisht që duhet dhe jam krenar. Krenaria e një vendi shihet në ato që quhen në histori "çështje të mëdha". Do t’ju jap tre shembuj që mua më japin krenarinë e të qenurit shqiptar: 1) Gjatë kohës së luftës së Kosovës, në një debat në TV francez, mes politikanëve të shumë bordeve, diskutohej sa kosovarë mund të merrte Franca si refugjatë sigurisht sipas mundësive që Franca kishte. Mes debatit, një liberal që quhet Alain Madelin tha: Duhet të kemi turp që diskutojmë për aq apo kaq, është një vend që quhet Shqipëri dhe në këto momente ka më shumë se 900.000 refugjatë, do të thotë një e treta e popullsisë aktuale sot atje. Imagjinoni që të arrijnë në Francë 20 milionë refugjatë! Ky është popull bujar, ky është vend nga ku Franca duhet të marrë shembull! 2) Në një reportazh amerikan mbi fatin e çifutëve gjatë luftës së dytë botërore, amerikani paraqet përballë kamerës një dokument shumë interesant. Ky dokument i ishte drejtuar komandaturës gjermane, nga të gjitha forcat politike të Shqipërisë në atë kohë. Në të thuhej: Ne si popull nuk dorëzojmë asnjë njeri. Kemi një besë dhe do ta mbrojmë deri në fund, prandaj të mos pritet nga ana juaj dorëzimi i asnjë çifuti prej nesh! 3) Gjatë një udhëtimi nga Franca në Itali me tren, isha ulur pranë një plaku që duhej të ishte pa frike rreth 90 vjeç. Gjatë bisedës më shpjegoi për refugjatët shqiptarë në Itali (duke menduar se isha francez) dhe ja si më tha: Ne italianët si popull, jemi maskarenj. Kam qenë në emigrim në Gjermani qysh i ri dhe unë e di sesa kemi vujatur. Gjermanët na kanë poshtëruar deri dhe me shpulla na kanë rrahur. Por sot asgjë nuk kemi kuptuar nga gjithë kjo histori. Kur shoh racizmin kundrejt shqiptarëve, që janë komshijtë tanë, njerëz të vuajtur nga diktatura, njerëz që kanë ardhur për të përmirësuar jetën e tyre, ashtu siç bëmë dhe ne, më vjen turp. Aq më tepër kur sheh historinë, se si ai popull gjatë luftës, kur gjermani kërkonte ushtarët tanë, ata i fshehën dhe i mbajtën me bukë deri në fund të luftës. Ja se si po ua shpërblejmë!

Ja me këtë doja t’ju thoja se ç’më bën mua të ndjehem krenar që jam SHQIPTAR!