Nga Mila Ballhysa

Në sheshin qendror të Durrësit, paraditen e së shtunës, mes dhjetëra protestuesve dhe eksponentëve të partive opozitare, po loznin edhe disa fëmijë të vegjël.

Me naivitetin e moshës u afruan pranë vajzave, që po rendisnin pankartat e protestës dhe i pyetën pse po i vendosnin. Më pas, morën një lapustil të kuq, dy fleta formati bosh nga vajzat protestuese dhe shkruan: “Jam me ju”. Madje njëri prej tyre, me dorën që i dridhej bëri dhe dy zemra të vogla, siç i shihni në foto!

Me pafajësinë e moshës, ata vogëlushë kuptuan se kauza e qytetarëve, që ndodheshin në shesh ditën e Shën Valentinit ishte e drejtë. Ata ishin aty për të mbrojtur pronën e tyre.

Fakt që mesa duket e patën mjaft të vështirë ta kuptonin pushtetarët vendorë dhe qendrorë, që, pavarësisht protestave të vazhdueshme të durrsakëve, që preken nga projekti TID Durrës (kanë nisur që në shtator 2025), nuk u ofronin qytetarëve asnjë alternativë tjetër përveç largimit nga shtëpitë e trashëguara në breza dhe pranimit të vlerës së shpronësimit, që kishte vendosur qeveria.

Që nga ditët e para të janarit të këtij viti kam parë shumë lotë në sytë e qytetarëve të Durrësit.

Lotë tek njerëzit e përmbytur në zonën e ish-Kënetës, që për ditë të tëra i patën shtëpitë e tyre nën ujë.

Lotë tek familjet që për më shumë se dy dekada ngritën banesat pranë kanalit të ujërave të larta dhe një ditë të bukur u erdhi letra, që shtëpitë do prisheshin dhe pa u mbushur as afati ligjor 10 ditor u nxorrën në rrugë të madhe.

Lotë tek sytë e fëmijëve të vegjël të komunitetit rom, që pasi IKMT u prishi shtëpitë, policia shoqëroi për në komisariat prindërit e tyre duke i lënë të vetëm para bashkisë, në shi e duke u dridhur nga i ftohti.

Lotë tek sytë e 89-vjeçarit Paskal Simaku, kur më tha se nuk do bënte luftë me shtetin, por donte një strehim nga shteti, që kërkon t’i shembë shtëpinë.

Lotë tek sytë e të moshuarës Sofie Simaku, që me patericë në dorë e me ato pak fuqi që mosha ia lejon doli para bashkisë për të kundërshtuar vendimin e IMT-së, që deri më 16 shkurt i kërkon të lirojë në mënyrë vullnetare shtëpinë.

Lotë pashë edhe në sytë e Dashamir Novës, banorit të rrugës “Isuf Ferra”, që ndërsa më tregonte se kishte 36 vite që votonte PS-në ndihej i zhgënjyer, që askush nga pushtetarët lokalë apo deputetët nuk erdhi të takohej me banorët e të diskutonte me ta lidhur me projektin e unazës, që kërkon shembjen e shtëpive të tyre.

Pse kaq shumë lotë? Pse gjithë kjo arrogancë e pushtetit, që vetë shkruan e vetë vulos, pa u konsultuar më parë me ata, që do t’u shembë shtëpitë në emër të interesit publik.

Tek zona historike që preket nga projekti TID, nuk shemben të gjitha shtëpitë. Shemben disa, kurse të tjera ngjitur restaurohen dhe u rritet disa fish vlera e pronës.

Dikush shpronësohet me qindarka, dikush tjetër pasurohet pa futur fare dorën në xhep.

Atyre që u ka mbetur emri tek lista e prishjeve, pas “rregullimeve” të shumta që lista e parë ka pësuar gjatë rrugës, u kërkohet të largohen pa bërë zë, pa kundërshtuar, thjesht të pranojnë fatin e tyre!!!

Por deri më tani, pushtetit i ka hasur sharra në gozhdë me ta. Edhe pse kryeministri Rama u shpreh i bindur, se prishjet do të bëhen, nëse do të vijë ajo ditë ata durrsakë duhet të largohen me dinjitet nga shtëpitë e tyre, duke marrë nga shteti kompensimin e duhur, në këmbim të pronës, që po sakrifikojnë për hir të së mirës publike.

Sikur pushtetarët tanë të vinin në veprim zemrën ashtu si ata dy vogëlushë një ditë më parë, ky vend do të ishte më i mirë për qytetarët e tij, e mbase do të kishte më pak lotë.

Nuk janë të nevojshme zemrat e kuqe të vendosura para bashkisë, është e domosdoshme të vësh edhe zemrën në veprim para se të vulosësh fatin e dhjetëra familjeve, që kush më pak e kush më shumë ka dhënë kontribut, që të kemi Durrësin, që kemi sot.

Mos shkaktoni më lotë me arrogancën e pushtetit, po trajtojini me dinjitetin e duhur.

Shtëpitë e tyre janë pjesë e historisë së qytetit dhe historia meriton respekt.