Gjykata e Posaçme ka shtyrë për në datën 21 maj seancën gjyqësore ndaj kryebashkiakes së Roskovecit, Majlinda Bufi, të akuzuar për “përdorim të detyrës për veprimtari politike dhe zgjedhore”.

Përmes avokatit, kryebashkiakja paraqiti disa bileta udhëtimi, mes të cilave provonte se ndodhej për disa ditë jashtë vendit, si e ftuar në një workshop.

“Për shkak se ndodhemi në fazën e konkluzioneve të mbrojtjes, e mbrojtura dëshiron të jetë e pranishme”, tha avokati i saj Klodian Skënderi.

Procesi ndaj Bufit është shtyrë disa herë për t’i dhënë kohë të akuzuarës për të bërë mbrojtjen, aq sa në seancën e kaluar gjykata u shpreh se në rast të mospërgatitjes, do ta konsideronte si mungesë vullneti dhe do të kalonte në shpallje vendimi.

Në konkluzione, SPAK ka kërkuar fajësi për Bufin dhe dënimin e saj me 1 vit burg, i konvertuar në 2 vjet shërbim prove.