Dy të rinj janë vënë në pranga nga Policia e Tiranës, pasi dyshohet se i kishin vënë gjobë një biznesmeni, duke e kërcënuar me jetën e tij e të familjes.

Ata i kërkonin biznesmenit 55-vjeçar shumën prej 10 mijë eurosh, në të kundërt do ta pësonte keq bashkë me njerëzit e tij të afërt, raporton “Panorama”.

E për ta frikësuar më shumë se çështja ishte serioze, ata kanë përdorur mbiemrin Shullazi, të bindur që do të jepte efekt dhe ata do të merrnin paratë. Në fakt nuk bëhet fjalë për Emiljano Shullazin, i cili aktualisht ndodhet në burg dhe është në proces gjykimi për të njëjtën akuzë si ata, “shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie”.

Bëhet fjalë për një 21-vjeçar nga fshati Bërxullë i Tiranës, që nuk ka asnjë lloj lidhjeje familjare apo farefisnore me Shullazin që ndodhet në burg. Ai është njëri prej të arrestuarve, Altin Valisi, që mban si mbiemër të dytë Shullazi, që dikur kanë pasur paraardhësit e tij.

Ky person është ideatori i gjobëvënies ndaj biznesmenit, ndërsa bashkëpunëtori i tij është 19-vjeçari Durim Dervishi, po ashtu banues në Bërxullë. Dy të rinjtë janë arrestuar gjatë operacionit të koduar “Last Night” nga oficerët e Seksionit të Krimeve ndaj Pronës, në një lokal në zonën e Laprakës. Aty ka qenë vendi i takimit me biznesmenin, me të cilin ata kishin rënë dakord të pinin një kafe dhe të merrnin paratë që i kishin kërkuar. Por në vend të 55- vjeçarit Piro Z., aty kanë shkuar forcat e Policisë që kanë bërë arrestimin e dy gjobëvënësve.

DENONCIMI

Dy ditë më parë, në Drejtorinë e Policisë së Tiranës është paraqitur për të bërë kallëzim biznesmeni 55-vjeçar, Piro B. Ai ka në pronësi një kompani të prodhimit e përpunimit të xhamave e materialeve plastike, në autostradën Tiranë – Durrës. Biznesmeni ka deklaruar para oficerëve të Krimeve të Rënda se prej më shumë se një jave, kërcënohej me jetë me anë të mesazheve në celularin e tij, nga persona që nuk i njihte.

Sipas tij, këta persona kërkonin nga ai 10 mijë euro, në të kundërt do ta vrisnin atë, apo edhe ndonjë prej familjarëve të tij. Për të mbështetur më shumë denoncimin e tij, 55-vjeçari u ka treguar oficerëve të Policisë edhe disa prej këtyre mesazheve, që vinin nga numra të ndryshëm, por në fund mbylleshin me emrin “Shullazi”. Personi që i dërgonte mesazhe i ishte prezantuar si Altin Shullazi. Ndërsa në një rast tjetër, i kishte thënë se ishte nga Kruja dhe në rast se nuk do ta paguante gjobën, duhej ta merrte me mend vetë se çfarë mund t’i ndodhte.

HETIMI

Menjëherë pas denoncimit të biznesmenit, Policia nisi hetimet dhe në kohë rekord arriti të identifikonte njërin prej autorëve të ngjarjes. Ai ishte punonjës në një kompani që merrej me pastrimin e xhamave dhe vazhdimisht shkonte në biznesin e të dëmtuarit për të marrë porosi për shkak të punës që bënte.

Më pas u provua se edhe bashkautori i tij bënte të njëjtën punë. Ideja për t’i vendosur gjobë biznesmenit u kishte lindur të dyve, pasi i kishin gjetur numrin e telefonit dhe ishin të bindur se ai kishte para dhe do t’ua jepte. Ndërsa për ta frikësuar edhe më shumë, kanë përdorur mbiemrin “Shullazi”, mbiemër që më herët kishte pasur familja e njërit prej autorëve.

/Panorama/