Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, është shprehur i zhgënjyer nga telefonata që zhvilloi ditën e djeshme (3 korrik) me Vladimir Putin, pasi sipas tij presidenti rus dukej i pavullnetshëm për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Përpjekjet e SHBA-ve për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë përmes mjeteve diplomatike duket se kanë ngecur dhe Trump po përballet me thirrje në rritje – madje edhe nga disa republikanë – për të rritur presionin mbi Putinin për të negociuar.
Pas telefonatës midis dy udhëheqësve dje, presidenti amerikan tha se planifikonte të komunikojë sot me homologun e tij ukrainas Volodymyr Zelensky , siç u tha gazetarëve pas kthimit të tij në Uashington nga një udhëtim në Iowa.
“Jam shumë i zhgënjyer nga biseda që pata sot me Presidentin Putin”, theksoi Trump.
“Po them vetëm se ai nuk po mendon të ndalet dhe kjo është shumë keq”, shtoi ai.
“Nuk kam bërë asnjë përparim me të”, shtoi ai duke folur me gazetarët dje.
Gjatë bisedës së tyre që zgjati rreth një orës, Trump dhe Putini nuk diskutuan vendimin e fundit të SHBA-së për të ndaluar furnizimet me disa pajisje ushtarake për Ukrainën, tha Yuri Ushakov, një këshilltar i presidentit rus.
Trump u tha gazetarëve ndërsa po nisej për në Ioëa se “ne nuk e kemi” ndaluar plotësisht furnizimin me armë për Ukrainën dhe akuzoi paraardhësin e tij, Joe Biden , se kishte dërguar kaq shumë pajisje ushtarake në Kiev saqë rrezikonte dobësimin e mbrojtjes së SHBA-së.
“Po japim armë, por kemi dhënë kaq shumë armë. Por po japim armë”, tha republikani.
“Dhe po punojmë me ta dhe po përpiqemi t’i ndihmojmë, por nuk e kemi ndaluar plotësisht. E dini, Biden e zbrazi vendin tonë duke u dhënë armë, dhe duhet të sigurohemi që të kemi mjaftueshëm për veten tonë”, shtoi ai.
Vendimi i SHBA-së për të ndërprerë disa armë zuri Kievin në befasi dhe ka shkaktuar konfuzion në lidhje me pikëpamjet e Trump mbi konfliktin. Javën e kaluar, presidenti i SHBA-së tha se do të përpiqet të dërgojë një sistem mbrojtës raketor Patriot në Ukrainë.
Zyrtarët ukrainas folën me të dërguarin e SHBA-së në Kiev të mërkurën për të theksuar rëndësinë e ndihmës ushtarake që vendi i tyre merr nga Uashingtoni dhe për ta paralajmëruar atë se ndërprerja e disa armëve do të dobësonte aftësinë e Ukrainës për t’u vetëmbrojtur.