Jamal Musiala tremb tifozët e Bayernit. Futbollisti i kampionëve të Gjermanisë humbi ndjenjat për shkak të motit shumë të nxehtë gjatë ndeshjes miqësore me Leipzigun në kuadër të përgatitjeve për sezonin e ri të Bundesligës.
Në momentin teksa po shembej në tokë, shoku i tij i skuadrës, Saibari që këtë verë u transferua te klubi bavarez, ndërhyri menjëherë duke e mbajtur Musialën përpara se ai të binte në tokë.
Gjithçka ndodhi kur rezultati i ndeshjes ishte 3-1 për Bayernin, që ishte edhe ai përfundimtar i sfidës, me dy futbollistët që u bënë protagonistë te goli i tretë kur Saibari i shërbeu Musialës për të shënuar. Dhe pikërisht në minutën e 83 ndodhi edhe ky episod që mbajti në ankth stafin teknik dhe tifozët në stadium ndërkohë që temperatura ishte 33 gradë Celcius.
Imazhet tregojnë Musialën që dukej i paqëndrueshëm dhe i çorientuar teksa priste rifillimin e ndeshjes pas shënimit të golit. Pak çaste më vonë u pa që nuk mund të qëndronte në këmbë dhe ra në tokë i ndihmuar nga Saibari dhe Kimmich, ndërkohë që mjekët hynë në fushën e lojës. Musiala qëndroi në tokë teksa trajtohej me mjekët që qetësuan të gjithë të pranishmit në stadium duke bërë me dorë gjestin e OK për të thënë se futbollisti ishte mirë me Musialën që u ngrit dhe e la fushën e lojës me këmbët e tij, ndërkohë që tifozët nisën të thërrisnin emrin e tij.





