Gjykata e Posaçme e Apelit ka ndryshuar masën e sigurisë për Jamarbër Malltezin nga arrest me burg në arrest shtëpie. Ndërsa avokati Genc Gjokutaj bëri me dije se për ish-kryeministrin Sali Berisha nuk është ndryshuar masa e sigurisë.
“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtarja Iliriana Olldashi, sot më 21.11.2023, ora 11:00, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 56 akti, datë 14.11.2023 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e personave nën hetim S.B. dhe J.M., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 112, datë 20.10.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar” që ka disponuar në lëndë të masave të sigurimit personal, dhe vendosi: Miratimin e vendimit nr. 112, datë 20.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, të verifikuar me vendimin nr. 117, datë 26.11.2023 të së njëjtës gjykatë ndaj ankuesit S.B. Ndryshimin e vendimit nr. 112, datë 20.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, të verifikuar me vendimin nr. 116, datë 23.11.2023 të së njëjtës gjykatë ndaj ankuesit J.M., si më poshtë: Caktimin e masës së sigurimit personal me efekt shtrëngues “Arrest në shtëpi” ndaj të hetuarit J.M., duke e urdhëruar atë të mos largohet nga banesa e tij e ndodhur në adresën {…} si dhe të mos komunikojë me persona të tjerë me përjashtim të atyre që banojnë në të njëjtën banesë me të. Urdhërohet lirimi nga ambientet e paraburgimit it ë hetuarit J.M., në rast se nuk mbahet për ndonjë shkak tjetër. Urdhërohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, policia gjyqësore pranë saj, si dhe policia gjyqësore pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë për ekzekutimin e këtij vendimi dhe kontrollimin e zbatimit të urdhrave të dhëna të hetuarit nga kjo gjykatë”, sipas njoftimit të Apelit të Posaçëm.
Ish-kryeministri Sali Berisha, që po hetohet për privatizimin e ish-Kompleksit Sportiv “Partizani”, nuk e njeh vendimin e GJKKO-së për “detyrim paraqitje” dhe nuk është paraqitur në SPAK, pavarësisht lajmërimeve nga Prokuroria e Posaçme.
Javën e kaluar, përmes avokatëve mbrojtës, ai kërkoi shuarjen e masës “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit”, por GJKKO e rrëzoi këtë kërkesë.
Të njëjtën kërkesë për shuarje ose zbutje mase kanë dërguar edhe avokatët e Jamarbër Malltezi, i cili është i dyshuar për korrupsion pasiv. Mbi Malltezin rëndon masa “arrest në burg”.