Formacioni “Jan Kukuzeli” i përbërë nga instrumentistë të talentuar të shkollës së mesme artistike “Mujo Ulqinaku” (sot “Jan Kukuzeli”) të Durrësit nisi rrugëtimin e tij të shkurtër, por mjaft domethënës në vitin 1988. Nën drejtimin e violinistit mjaft të talentuar durrsak, Florian Vlashi, i cili në atë kohë ishte mësues në atë shkollë, instrumentistët më të mirë të saj u bënë pjesë e kësaj iniciative, që habiti jo pak njerëz në ato vite.
Falë impenjimit maksimal të të gjithë anëtarëve të këtij formacioni, jehona e interpretimeve të tyre i kaloi caqet e Durrësit dhe mori vlerësimet dhe komplimentet e shumë personaliteteve të njohura muzikore të asaj kohe vendase dhe të huaja. Gjatë viteve të shkollës Vlashi kishte qenë pjesë e formacionit të harqeve të Institutit të lartë të Arteve nën drejtimin e Ibrahim Madhit dhe këtë eksperiencë mjaft të bukur kërkoi ta vazhdojë me nxënësit e tij.
Për shumë nga instrumentistët e rinj, ai formacion harqesh ishte një shkollë e vërtetë që i përgatiti për rrugëtimin e tyre të gjatë në fushën e artit. Nga tetori i 1988 kur nisën provat e para me orkestrën nën drejtimin e Vlashit e deri në 1992, vit kur u shpërbë, formacioni arriti të bënte emër në fushën e muzikës klasike, të merrte vlerësime e lëvdata nga shumë njerëz të njohur të artit dhe kulturës e përmbi të gjitha të ngrinte lart vlerat e shkollës së mesme artistike të Durrësit, që gjatë viteve të funksionimit të saj ka nxjerrë talente të reja dhe emra të njohur në fushën e muzikës, pikturës apo skulpturës.
Violinisti Vlashi dhe 11 anëtarët e formacionit të tij i kishin vënë vetes një sfidë, të tregonin se edhe pse jo një orkestër profesionale ata dinin të bënin art, të interpretonin si artistë të vërtetë, në mënyrë harmonike dhe plot përkushtim. Shumë prej tyre i kujtojnë me nostalgji ato vite, kur pavarësisht mungesës së pjekurisë artistike dhe eksperiencës në skenë e treguan veten një grup kompakt që solli për herë të parë në historinë e muzikës shqiptare autorë vendas dhe të huaj mjaft të njohur si emra, por që muzika e tyre ishte ende e panjohur për një pjesë të publikut shqiptar.
Koncerti i parë
Për koncertin e parë të orkestrës së harqeve “Jan Kukuzeli”, Floriani zgjodhi një vepër mjaft impenjative siç ishte “4 stinët” e Vivaldit, e cila për herë të parë vinte e interpretuar e plotë nga instrumentistë shqiptarë. Duke pasur parasysh faktin se nuk bëhej fjalë për instrumentistë profesionistë, sipërmarrja ishte dyfish më e vështirë. Teatri “Aleksandër Moisiu” ishte skena ku interpretuan për herë të parë para publikut këta artistë të rinj, pas muajsh të tërë provash të nisura që në tetor të vitit 1988.
Në datë 17 maj 1989 salla ishte mbushur plot me nxënës, mësues, prindër dhe artdashës durrsakë. Të gjithë ishin kuriozë të dëgjonin këta të rinj që nën drejtimin e profesorit të tyre do të bënin Vivaldin të tingëllonte shqip. Interpretimi i arrirë i bindi dhe më skeptikët se formacioni i shkollës artistike të Durrësit përbëhej vërtet nga gjimnazistë, por që premtonin shumë për të ardhmen.
Në një shkrim në gazetën “Adriatiku” Afërdita Sinamati dhe kompozitori Edmon Buharaja do të shpreheshin: “I paraprirë përherë nga një veprimtari koncertale kurdoherë e menduar, e studiuar, e përgatitur dhe e realizuar drejt, Florian Vlashi u paraqit edhe këtë herë me një nivel të lartë interpretimi.
Po kështu, tërë orkestra, ndonëse me instrumentistë të rinj, të vegjël, mund të thoshim, u paraqit mjaft mirë në aspektin e një sensi të plotë tingëllues, me një diapazon të gjerë ngjyrash e timbresh e deri tek loja me koncept të qartë, në të cilën u mishëruan dhe u realizuan kërkesat stilistike të lojës në ansambël. Të katër koncertet (stinët) kishin konceptim të drejtë e të qartë duke i dhënë karakterin, ngjyrën dhe dinamikën përkatëse”.
Muzika e Jan Kukuzelit apo Niketë Dardanit tingëlloi për herë të parë shqip në kullën mesjetare të qytetit antik, ndërkohë që “4 stinët” e Vivaldit, një nga veprat më të bukura të artistit italian erdhi për herë të parë e plotë nga një formacion shqiptar pikërisht nga “të vegjlit” e shkollës “Mujo Ulqinaku”. Falë impenjimit maksimal të të gjithë anëtarëve të këtij formacioni, jehona e interpretimeve të tyre i kaloi caqet e Durrësit dhe mori vlerësimet dhe komplimentat e shumë personaliteteve të njohura muzikore të asaj kohe vendase dhe të huaja
Ky sukses i parë u dha shtysën atyre për të vazhduar iniciativën e ndërmarrë së bashku, këtë aventurë të bukur artistike të instrumentistëve të talentuar durrsakë. Pak ditë pas shfaqjes në Durrës ata interpretuan “4 stinët” e Vivaldit edhe para artdashësve të kryeqytetit, në sallën e Teatrit të Operas dhe Baletit, ku sërish u pritën mirë dhe korrën duartrokitjet e publikut.
Turnetë nëpër rrethe
Jehona që patën dy koncertet e para të orkestrës së harqeve “Jan Kukuzeli” u hapën dyert për të dhënë shfaqje në qytete të tjera të vendit. Nevila Kalaja, violina e parë e grupit të instrumentistëve adoleshentë kujton me nostalgji udhëtimet në grup, kur të gjithë bashkë përveç interpretimeve në skenë, ndanin së bashku të qeshurat, të papriturat e udhëtimeve, situatat komike që krijoheshin gjatë rrugës, eksperienca të reja këto për këtë grup të bashkuar.
Një tjetër anëtare e kësaj orkestre, Eneida Biduli, kujton se fakti që ishin rritur të gjithë së bashku, që nga klasa e parë deri në gjimnaz i mbante edhe më shumë të bashkuar dhe kishte forcuar tek ata frymën e grupit. Gjithashtu Kalaja e Biduli rrëfejnë se fakti që Florianin e kishin përveçse mësues edhe një shok të mirë, gjithnjë i gatshëm për batuta dhe situata që shkaktonin të qeshura, i ndihmonte këta instrumentistë të kalonin mjaft mirë edhe vështirësitë që u krijoheshin gjatë udhëtimeve.
Kalaja kujton se për të dhënë koncertin në Korçë anëtarët e formacionit u nisën me trenin e pasdites të linjës Durrës-Pogradec dhe mbërritën në Gur të kuq në mesnatë. Peripecitë për të gjetur vende të lira në hotel ishin një aventurë më vete, por gjithsesi ata kishin gjithnjë mjaft histori interesante për të treguar kur mbërrinin në shtëpi. Këto turne jo vetëm forcuan besimin e instrumentistëve dhe drejtuesit të tyre për profesionalizmin e kësaj orkestre, por njëkohësisht i bënë të njohur ata në rrethet artistike anekënd Shqipërisë.
Koncertet tek Torra
Orkestra e harqeve e shkollës artistike kishte marrë emrin e kompozitorit të njohur durrsak të shekullit të XI-të, Jan Kukuzelit. Në nderim të kësaj figure mjaft të rëndësishme të kulturës durrsake, formacioni organizoi një koncert tek Torra Veneciane në 12 dhjetor të 1989, ku morën pjesë personalitete të muzikës shqiptare si Ramadan Sokoli, Feim Ibrahimi etj.
Drejtuesi Florian Vlashi do të shprehej në atë kohë në një intervistë për gazetën “Adriatiku” se,- “ishte muzika e Kukuzelit e kënduar nga një kor bullgar, një muzikë tronditëse dhe e magjishme, zëri i një njeriu të vetmuar, të zhgënjyer dhe njëkohësisht i një gjeniu”,- ajo që do ta tërhiqte e do ta shtynte ta përshtaste për një orkestër harqesh. P
ërzgjedhja e Torrës, si ambienti ku do të ekzekutohej kjo muzikë që vinte prej shekujsh i dha një timbrikë dhe akustikë edhe më magjike interpretimit. Muzikologu Ramadan Sokoli, i cili i kishte dhënë Vlashit një ndihmë të vyer për ta përshtatur muzikën e Kukuzelit u shpreh në gazetën “Adriatiku” se,- “nuk prisja të dilte kaq bukur ky koncert, ku Kukuzeli të tingëllonte shqip, në sajë të guximit të një djali të ri…… Është punë për t’u përgëzuar si për përshtatjen e muzikës për orkestër harqesh, ashtu edhe për ekzekutimin. Pakgjë si citim në vepra të ndonjë kompozitori të huaj apo shqiptar kam dëgjuar, por si ky koncert i ndërtuar vetëm me muzikë të J.Kukuzelit është hera e parë. Lëre pastaj mjedisin fantastik të Torrës, me atë akustikë të veçantë”.
Ndërsa Feim Ibrahimi do të shprehej po atë natë: “Më emocionoi dhe më preku koncerti me muzikë të Jan Kukuzelit. Orkestra e harqeve nën drejtimin e Florian Vlashit qe e saktë dhe kishte bërë një punë të lavdërueshme”. Vlerësimet pozitive të dhëna nga figura të njohura të skenës muzikore shqiptare flasin dhe njëherë për profesionalizmin dhe seriozitetin me të cilin punonin të gjithë anëtarët e orkestrës duke dëshmuar një nivel të lartë artistik.
Pas Kukuzelit, Vlashi së bashku me orkestrën e tij sollën për publikun durrsak një tjetër emër të njohur të muzikës shqiptare, por këtë herë duke shkuar edhe më pas në kohë. Tingujt e muzikës së Niketë Dardanit, kompozitorit ilir të shekullit të IV-të mbushën ambientet e Torrës Veneciane duke krijuar kështu një traditë të bukur për artdashësit durrsakë, që shijuan për herë të parë këta kompozitorë të vjetër shqiptarë, pak të njohur në vendin tonë, por që kanë ndikuar mjaft në muzikën e kompozitorëve të mëdhenj botërorë si Verdi, Pucini, Bach etj.
“Në stacionin e Brindizit më përcollën të gjithë. Ishte shumë e rëndë… U ndërpre një ëndërr në mes… Gjatë rrugës Brindizi-Milano nuk më hiqeshin nga mendja notat e fundit të Adagio-s së Albinonit, një arpezh në violinë që hipën lart, në "pianissimo e diminuendo" …si hapat e atij që largohet përgjithmonë. Nuk dua të tregohem sentimental, por ai koncert dhe momenti tek stacioni i trenit kanë mbetur të fotografuar bardhë e zi brenda nesh. Ishin finalja e filmit tonë…”,- kujton Vlashi
Krahas afirmimit të instrumentistëve të rinj durrsakë merita e Florian Vlashit në këtë sipërmarrje është e dyfishtë, pasi ai në të njëjtën kohë risolli në kohën tonë këtë muzikë të harruar të kompozitorëve të vjetër shqiptarë. Duke u ndalur në këtë pikë, muzikologu Ramadan Sokoli në nëntor të vitit 1990 do të përgëzonte artistët durrsakë për guximin dhe vlerat që sollën me “ringjalljen” e kësaj muzike “pa pasur frikë nga paragjykimet dhe injorantët”.
Ndërkohë muzikologu austriak Grabor Rivo u shpreh gjatë koncertit të formacionit të harqeve në Tiranë se,- “është fat dhe krenari për një komb që ka një kulturë kaq të lashtë muzikore, por, është po kaq krenari për të fakti që ka sot intelektualë të tillë që dinë ta vlerësojnë e ta nxjerrin në pah. Më bëri shumë përshtypje niveli i orkestrës si dhe pjesëmarrja e madhe në auditor. Shfaqje të tilla kanë vlera kombëtare”.
Në tre vite e gjysmë të ekzistencës së tij formacioni “Jan Kukuzeli” ka ndryshuar disa herë emrat e anëtarëve të tij, për faktin se maturantët që mbaronin shkollën e mesme artistike nuk mund të ishin më pjesë e grupit. Po pavarësisht ndryshimeve të herëpashershme, orkestra ruajti nivelin e lartë artistik dhe tregoi se pasioni e dëshira për të realizuar nisma inovative mund të jepnin fryte shumë pozitive.
Koncertet e fundit në Itali
Në numrin e saj të datës 28 maj 1992, “La gazzeta del mezzogiorno”, një e përditshme e rajonit të Puglias, do t’i kushtonte një faqe të tërë mbërritjes në Brindizi për një tur koncertesh të një formacioni të njohur harqesh nga Durrësi. Në këtë shkrim ndër të tjera nënvizohej: “orkestracioni dhe drejtimi i instrumentistëve shqiptarë i është besuar eksperiencës së maestro-s Florian Vlashi, i cili ka arritur të krijojë një harmoni të veçantë në grup dhe një bashkëpunim për tu pasur zili. Sensibiliteti muzikor i artistëve të shkollës artistike “Mujo Ulqinaku” u jep atyre mundësinë të depërtojnë pa probleme dhe me mjaft kompetencë në zbërthimin e çdo pjese muzikore”.
Në muajin maj të 1992, pak para shpërbërjes orkestra e harqeve “Jan Kukuzeli” zhvilloi një turne mjaft të suksesshëm dhjetë ditor në rajonin e Puglias. Instrumentistët e rinj ishin ftuar nga shoqata “Acli” dhe “Cichal” në kuadër të aktiviteteve të larmishme me rastin e binjakëzimit të qytetit të Durrësit me rajonin jugor italian. Repertori i orkestrës përfshinte pjesë muzikore nga kompozitorë si Albinoni, Vivaldi, Paganini dhe Brahms.
Në të njëjtën kohë, krahas emrave të njohur të muzikës botërore, një hapësirë të veçantë në repertorin e koncertit, violinisti Vlashi ia kishte rezervuar kompozitorit durrsak Edmond Buharaja me pjesën “Eklips”. Prania e muzikantëve shqiptarë në qytete të ndryshme të Puglias nuk kaloi pa rënë në sy të mediave lokale. Në një kohë kur vetëm një vit më parë, rajoni jugor ishte përballur me fluksin masiv të shqiptarëve që i drejtoheshin brigjeve italiane për një jetë më të mirë, tashmë Puglia po kuptonte se krahas varfërisë ekstreme dhe kriminalitetit që vinte nga Shqipëria, vendi i shqiponjave dëshmonte se kishte virtuozë mjaft të mirë në fushën e artit.
“Populli shqiptar e ka në gjak artin dhe muzikën”,- është titulli i artikullit të gazetarit Matteo Summa në gazetën “L’eco” të Brindizit. Ndërsa vlerëson paraqitjen mjaft dinjitoze artistike të artistëve të rinj durrsakë Summa nënvizon se interpretimi i virtuozit Vlashi dhe instrumentistëve të harqeve dëshmon aftësitë muzikore të ballkanasve për të rikrijuar momente me intensitetet të lartë emotiv dhe poetik. Këto koncerte do të shënonin fundin e ekzistencës së orkestrës së harqeve “Jan Kukuzeli”.
Shpërbërja e formacionit
Drejtuesi artistik i orkestrës, Florian Vlashi, kishte fituar konkursin për të qenë pjesë e Orquesta Sinfonica de Galicia, punë të cilën ai e kishte shtyrë deri në muajin maj për të mos humbur koncertet e planifikuara me formacionin e tij. Kur e pyet për atë periudhë timbri i zërit të Vlashit përcjell emocion, pasi pavarësisht se kanë kaluar 20 vite ai dhe gjithë anëtarët e grupit nuk mund të harrojnë ato momente aq të trishta.
“Në stacionin e Brindizit më përcollën të gjithë. Ishte shumë e rëndë… U ndërpre një ëndërr në mes… Gjatë rrugës Brindizi-Milano nuk më hiqeshin nga mendja notat e fundit të Adagio-s së Albinonit, një arpezh në violinë që hipën lart, në "pianissimo e diminuendo" …si hapat e atij që largohet përgjithmonë. Nuk dua të tregohem sentimental, por ai koncert dhe momenti tek stacioni i trenit kanë mbetur të fotografuar bardhë e zi brenda nesh. Ishin finalja e filmit tonë…”,- shprehet Vlashi kur rikthen edhe njëherë me sytë e mendjes ato momente që po i jepnin fund një ëndrre të jetuar me intensitet të lartë.
Madje, ai shprehet se ndoshta pengu i asaj nisme të ndërprerë në mes të rrugës ishin shtysa për të ngritur grupin e tij muzikor në Spanjë, Grupo Instrumental Siglo XX apo Camerata Brigantina-n (orkestra e të rinjve të Betanzos). Ai i sheh të gjitha këto si një jehonë të atij formacioni të parë që ngriti në Durrësin e tij të dashur. Ndërsa konkursin e talenteve të rinj në Bienalen e Durrësit “Netët e Muzikës Klasike” e konsideron një formë që "mbyll rrethin", një rikthim apo një kontakt disi i largët me atë shkollë ku ai mori formimin e tij të parë si artist.
Ribashkimi pas 20 vitesh
Eksodet e njëpasnjëshme i kanë shpërndarë shqiptarët në shumë vende të botës dhe shumë nga ata instrumentistë të rinj të asaj kohe sot jetojnë e punojnë jashtë vendit. Disa vazhdojnë profesionin e tyre, disa të tjerë kanë ndërmarrë rrugë të reja në jetë, por kontaktet me njëri-tjetrin nuk i kanë harruar. I kanë premtuar shokëve të tyre të vjetër se do të mblidhen së bashku në muajin gusht për t’u ngjitur dhe njëherë në skenë, për të interpretuar ato melodi që i bënë të njohur në atë kohë.
Eneida Biduli premton se në 11 gusht formacioni i dikurshëm do të rimblidhet dhe njëherë si dikur, për të rikujtuar qindra momente të bukura e të vështira të ndara së bashku, si dhe për të treguar se muzika i bashkon shpirtrat, i zbukuron ato dhe mban të forta me nyje të padukshme lidhjen e fuqishme me artin.
Anëtarët e formacionit të parë
1. Nevila Kalaja
2. Orges Caku
3. Mirela Liço
4. Pirro Gjikondi
5. Parid Subashi
6. Adelina Hasani
7. Altin Thanasi
8. Klodiana Deçolli
9. Sokol Koka
10. Rediana Lukaçi
11. Krenar Dërrasa
Drejtues artistik dhe solist: Florian Vlashi
Anëtarët e formacionit gjatë turit në Itali
1. Orges Caku
2. Klodiana Babo
3. Hektor Llupa
4. Lueta Prevazi
5. Eneida Biduli
6. Greta Xoxi
7. Suela Kazazi
8. Denis Cara
9. Entela Ndoni
10. Dritan Rrokaj
11. Rediana Lukaçi
12. Ilda Xheraj
Drejtues artistik dhe solist: Florian Vlashi