Afro 160 mijë udhëtarë në periudhën janar – maj 2019 kanë preferuar të lundrojnë me tragetet e linjave Durrës – Bari dhe Durrës – Ankona e kthim.
Sipas të dhënave statistikore të Sektorit përkatës në APD, shifra shënon një rritje prej 1 % krahasuar me të njejtën periudhë të 5-mujorit 2018. Në të njejtën masë është rritur edhe volumi i mallrave të transportuara me kamjonë dhe trajlerë nga tragete.
Në këto 5 muaj tragetet kanë transportuar 295.451 ton mallra eksport-importi, ndërsa vitin e kaluar janë regjistruar 2.528 ton më pak.
Mbi 92 mijë udhëtarë i kanë shfrytëzuar tragetet në lundrimet drejt porteve të Italisë, ndërsa afro 68 mijë të tjerë kanë lundruar nga gadishulli Apenin drejt Durrësit. Ndërkaq, numri i autoveturave në dalje është më i lartë, afro 2.900 njësi, se sa ai i regjistruar në hyrje me tragete drejt Durrësit.