Tremujori i parë i këtij viti shënon rekord përsa i përket sipërfaqes për leje ndërtimi të dhëna nga bashkia Durrës.

Të dhenat e INSTAT raportojnë se gjatë periudhës janar-mars 2022, bashkia Durrës ka dhënë 84 leje ndërtimi për një sipërfaqe prej 90.347 metër katror.

Numri i lejeve të ndërtimit të dhëna gjatë dy viteve të fundit ka qenë më i lartë vetëm në tremujorin e dytë të 2021 (prill – qershor) kur u dhanë 100 leje ndërtimi, kundrejt një sipërfaqeje prej 77.024 metër katrorë.

Pavarësisht se 3 muajt e parë të këtij viti janë dhënë më pak leje ndërtimi, sipërfaqja e ndërtimit është dukshëm më e madhe.

Rritja e ndjeshme e sipërfaqeve për ndërtimeve të reja mund të lidhet me procesin e rindërtimit prej tërmetit, por jo domosdoshmërisht vetëm me këtë proces.

Krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2021, janar – mars 2022 është dyfishuar si numri i lejeve të ndërtimit, por edhe sipërfaqja ku do të ndërtohet.

Duke iu referuar të dhënave të INSTAT, Durrësi renditet direkt pas bashkisë së Tiranës përsa i përket lejeve të dhëna për ndërtim, por edhe sipërfaqes së ndërtimit.

Duket se dhe qyteti bregdetar nuk ka mbetur pas kryeqytetit në sektorin e ndërtimit, sektor i cili ka lulëzuar dy vitet e fundit, pavarësisht dy fatkeqësive natyrore; tërmetit të vitit 2019 dhe pandemisë Covid-19.

Përgjatë vitit që lamë pas janë dhënë gjithsej 290 leje ndërtimi.

Vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike në tremujorin e parë të vitit 2022 është 5.636.376 lekë, shumë më e lartë sesa shifra 3.568.697 lekë që u regjistrua në tre mujorin e fundit të vitit që lamë pas. Ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kjo vlerë dyfishohet (janar-mars 2021 ishte 2.732.199 lekë).

Krahas shtimit të sipërfaqes që do të betonizohet me ndërtime të reja, rritet kështu ndjeshëm vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit duke shënuar një rekord të ri për qytetin bregdetar,

Të dhënat në shkallë vendi

Në tremujorin e parë 2022 janë miratuar gjithsej 397 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, nga 251 leje të miratuara në tremujorin e parë 2021, duke shënuar një rritje prej 58,2 % .

Sipas INSTAT, sipërfaqja e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa të reja, në tremujorin e parë 2022 është 1.031.088 m2 , nga 599.446 m2 miratuar në tremujorin e parë 2021, duke shënuar një rritje prej 72,0 %.

Në tremujorin e parë 2022, vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike është 39,0 miliardë lekë, nga 26,6 miliardë lekë miratuar në tremujorin e parë 2021, duke shënuar një rritje prej 46,7 %.

M.B.