Veprimtaria ekonomiko-tregtare e portit të Durrësit në periudhën janar-mars 2025, ka rregjistruar një rritje në masën 8,4% krahasuar me të njejtën periudhë të vitit paraardhës.
Të dhënat zyrtare të Autoritetit Portual Durrës, konfirmojnë se përgjatë tre muajve të parë të vitit janë akostuar në kalatat e portit të Durrësit 308 mjete lundruese, të cilat kanë transportuar në total 882,481 tonë mallra, ose 68,104 tonë mallra më shumë se e njejta periudhë e vitit që lamë pas.
Referuar të dhënave analitike të APD-së, mbi 216 mijë tonë mallra janë importuar, ndërkohë që rreth 666 mijë tonë janë transportuar për eksport drejt porteve ndërkombëtare.
Po ashtu një rritje të konsiderueshme në masën 10% kanë shënuar edhe volumet e mallrave të përpunuar përgjatë muajit mars, krahasuar kjo me marsin e vitit 2024.
Të njejtat burime ndajnë edhe shifrat e mallrave të përpunuara në kalatat e kompleksit Portual Durrës-Porto Romano, ku gjatë këtij tre mujori janë përpunuar 1,553,036 tonë mallra, ndërkohë që kryesojnë eksportet me një rritje të konsiderueshme në masën 59%.
Të dhënat tregojnë se në portin më të madh në vend mbizotërojnë mallrat gjenerale, të cilat reflektojnë një rritje në masën 62% në raport me të njëjtën periudhë të vitit 2024.
Burimet zyrtare të APD saktësojnë se këtë tremujor, volumet e njësive konteinerike kanë njohur një rritje të lehtë prej 1%, ku në total janë përpunuar 43,638 TEU krahasuar me 43,395 TEU të përpunuara në janar-mars 2024.
Sa i përket sektorit të udhëtarëve, mbi 108 mijë pasagjerë janë regjistruar në hyrje-dalje të vendit nëpërmjet pikës kufitare të Durrësit, gjatë janar-mars 2025, ndërkohë që rreth 49 mijë mjete janë transportuar me tragete.