Anijet tregtare që kanë transportuar mallra nga/drejt Durrësit në këto 6 muaj kanë lundruar nga/drejt 67 porteve në 24 vende të botës duke përpunuar në total 1 milion e 868 mijë tonë mallra.
Mallrat e ndryshme të eksport-importeve janë nisur apo kanë mbërritur jo vetëm nga porte të kontinenteve të Europës, por edhe nga Afrika, Azia dhe Amerika e veriut. Shifrat janë bërë të njohura nga sektori i Statistikave portuale, i cili analizon periudhën janar-qershor 2020.
Sasia më e madhe e mallrave të transportuar drejt apo nga Durresi në këto 6 muaj i përket porteve të Italisë, me 810 mijë tonë ose 43% e të gjithë mallrave të përpunuara, Greqia me 294 mijë tonë ose 16%, Rusia me 172 mijë tonë ose 9%.
Ndërsa në vendin e katërt dhe të pestë renditen Turqia dhe SHBA përkatësisht me 121 mijë tonë ose 6% dhe 91 mijë tonë ose 5% e të gjithë volumeve tregtare të përpunuara përgjatë kësaj periudhe.
Eksportet shqiptare janë transportuar me anije nga Durrësi drejt Italisë 53% , Greqisë 23%; Sllovenisë 9%, Maltës 7% , Spanjës 4%, etj.. Ndërkohë, peshën kryesore edhe në import e mban Italia me 40 %, e ndjekur nga Greqia 13 %, Rusia 12%, Turqia 9%, SHBA 6%, etj..





