Shtyhet me një orë seanca gjyqësore për 20 të arrestuarit lidhur me ngarkesën me banane në portin e Durrësit, të akuzuar për shpërdorim detyre, heqje të shenjave të sigurisë dhe kontrabandë me mallra të tjerë.
Shkak është bërë kërkesa e avokatëve për t’u njohur me aktet, pasi kanë qenë në grevë.
“Kemi qenë në grevë. Të na jepet kohë të njihemi me aktin e arrestimit në flagrancë. Janë 20 burra që iu është marrë dinjiteti dhe s’mund të bëjmë një seancë rutinë”, janë shprehur ata.
Prokurori i çështjes Afrim Shehu ka kërkuar që avokatët mbrojtës le të njihen me provat e Prokurorisë, dhe gjykata e kryesuar nga gjykatësi Paulin Çera ka vendosur ndërprerjen e seancës me një orë kohë sa të njihen avokatët me aktet.
Në gjykatën e Durrësit kanë dalë përpara trupit gjykues për t’u njohur me masën e sigurisë shtetasit:
Jurgen Gjeçi, Armand Murataj, Gentian Halili, Azgan Zeka, Skender Plaku, Adi Qevanaj, Kastriot Duçka, Mentor Dyrmishi, Klaudio Lala, Shpëtim Hajdin, Andra Xhevara, Adem Brasha, Veiz Kuçi, Rajd Bleta, Ali Bajrami, Gjergj Doraci, Shefqet Elezi, Profit Tola, Altin Mahmutaj, Nazmi Allgjata.
ARRESTIMI
Arrestimi i tyre u bë pasi gjatë kontrolleve të kryera nga Task Forca permanente e përbashkët e përbërë nga Policia Kufitare e Portit të Durrësit, Policia Kriminale e DVP Durrës dhe nga Aurotitetet Doganore të Portit, në Portin e Durrësit eshte konstatuar një kontenier i paplumbosur me plumbçe.
Kontejneri me banane ka mbërritur në portin e Durrësit në datën 8 korrik. Por nuk ishte paraqitur njëri të tërhiqte kontejnerin i cili ka bërë 3 ndalesa nga Kolumbia në Spanjë, Itali e Durrës.
Kur janë paraqitur punonjësit e kompanisë për tërheqjen e kontejnerit me banana, është vëne re që ai ishte i hapur e mungonin 49 arka me banane.





