Kryeministrja e Serbisë Ana Brnabiç gjatë një konference për mediat në Beograd, në prani të zyrtarëve të lartë të Bashkimit Europian, ka lëshuar një fyerje të rëndë ndaj liderëve politikë të Kosovës, duke thënë se "janë njerëz të dalë nga mali".

Kjo deklaratë e Brnabiç është bërë në prani të shefit të delegacionit të BE-së në Serbi, Sem Fabrizio, në një konferencë që po zhvillohej në lidhje me raportet mes Beogradit e Prishtinës.

"Ajo që mua më së shumti më frikëson, është fakti se kemi punë me llojin më të keq të populistëve, me njerëz të cilët vërtet kanë dalë nga mali. Disa prej tyre janë terroristë që nuk janë dënuar. Kanë qenë të akuzuar në Tribunalin e Hagës. Nuk janë dënuar vetëm për faktin se gjatë atij procesi janë vrarë të gjithë dëshmitarët", ka thënë Bërnabiç.

Një deklaratë e tillë solli reagime të shumta nga krerët e Kosovës. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, këtë deklaratë e ka konsideruar si një tjetër dëshmi për urrejtjen patologjike të shtetit serb për Kosovën.

Ndërsa ministri i Jashtëm Behgjet Pacolli, tha se kryeministrja serbe nuk do lejohet të hyjë në Kosovë për sa kohë që ndjek ideologji të tillë raciste dhe të sëmurë kundër popullit të Kosovës dhe etnive që jetojnë në vend.