Për herë të parë Presidenti i SHBA Donald Trump, ka cilësuar Trupat e Gardës Revolucionare të Iranit (IRGC) si një organizatë terroriste e huaj.

“Ky përcaktim është hera e parë që Shtetet e Bashkuara shpallin një pjesë të një qeverie tjetër organizatë të huaj terroriste”, tha Trump.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, u shpreh se ky vendim do të hyjë në fuqi brenda një jave.

Po ashtu, Pompeo kërkoi nga të gjitha bankat dhe bizneset që t’i ndërpresin marrëveshjet me Gardën Revolucionare.

Ndërkohë, i menjëhershëm ka qenë reagimi i Iranit, duke deklaruar se Komandoja Qendrore e SHBA është një organizatë terroriste.

Tensionet e Uashingtonit dhe Teheranit janë shtuar që kur Trump tërhoqi SHBA nga pakti ndërkombëtar bërthamor i Iranit, shkruan BBC.

Deklarata e Iranit për etiketimin e forcave amerikane si organizatë terroriste, do të shtyjë SHBA-të që të ndërmarrin sanksione të tjera ndaj këtij shteti.

SHBA-të kanë akuzuar vazhdimisht Iranin se subjekte të ndryshme shtetërore mbështesin dhe financojnë terrorizmin, duke abuzuar kështu me të drejtat e njeriut.