Sapo filluan kampionatet kombëtare të volejbollit dhe së shpejti nis edhe konkurimi në sportin e koshit. Në sporte të tjera veprimtaritë janë në kulmin e tyre, pasi konkurimet bëhen si vit kalendarik. Mbi objektivat e Teutës në sporte dhe veçanërisht në lojërat me dorë biseduam me sekretarin e shumësportëshit durrsak Emiljan Jani, i cili tha për “Dyrrah” se këtë sezon të gjitha ekipet, qoftë ato të femrave, qoftë ato të meshkujve, nisin punën me objektiva të qarta; përfaqësimi sa më dinjitoz në rradhë të parë, përfshirja në luftën për titull dhe pse jo  edhe fitimi i kampionatit apo i kupës së Shqipërisë. Në të njëjtën kohë Jani thotë se krahas punës së mirë që po bëhet në ekipet e lojërave më dorë, angazhim dhe vëmendje e madhe po i rezervohet edhe sporteve të tjera.

Është kaluar një verë me temperatura të larta, duke krijuar shqetësime në përgatitjen e ekipeve. Mund të na informoni si është përballuar kjo situatë dhe sa mund të ndjehet në prezantimin e ekipeve në veprimtaritë kombëtare të planifikuara?

Vërtet që jemi ndeshur me një verë shumë të nxehtë, por është për t’u nënvizuar fakti që kjo pak është ndjerë në stërvitjen e ekipeve. Në natyrë janë stërvitur ekipet e moshave, ndërsa në pallat në bazë të grafikut kanë nxitur përgatitjet ekipet e të rriturve. E kam ndjekur nga afër punën e tyre dhe shpreh kënaqësi me atë çka është bërë. Koha në dispozicion është shfrytëzuar në mënyrë efektive dhe gjendja e sportistëve në prag të fillimit të kampionateve kombëtare është inkurajuese.

Brenda harkut kohor prej 12 ditësh, Teuta në volejboll për meshkuj dhe femra fiton tre trofe, dy prej të cilëve kanë të bëjnë me kupën e Federatës Shqiptare të Volejbollit. Cili është komenti juaj, për këtë moment fatlum për volejbollin durrsak?

Ndonëse kanë kaluar ditë, vazhdojmë të shijojmë tri fitoret pikante të javëve të fundit në volejboll. Fitohet kupa Juxhin Guza, më tej kupa e FSHV-së për femra dhe për meshkuj. Kjo e djemve është arritur në Tiranë, duke mundur kampionen në fuqi Studentin. Faza përgatitore është vlerësuar drejt. Kondicioni fizik dhe teknik është për t’u përgëzuar, pasi në këtë fazë të konkurimit këto tregues përcaktojnë edhe fituesin. Me volejbollin kemi vite që jemi në rrugë të mbarë dhe kjo po tregohet ende pa nisur mirë sezoni.

Duke pranuar punën e mirë të bërë, e shoqëruar kjo edhe me një ecuri të kënaqshme si mund të reflektohet në pozicionimin e Teutës në përfaqësimet kombëtare?

Jemi optimistë se do të ndikojë për të mirë. Veçanërisht për djemtë, pasi më shumë se kurrë kërkojmë të fitojmë titullin kampion dhe kupën e Shqipërisë. Trofeu i tretë pas këtyre dy të parave tashmë “pushon” në Durrës. Kemi bindjen e plotë se nuk do të lëshojmë edhe në të tjerat. Është rasti më i mirë ta bëjmë këtë. Ardhja pranë këtij ekipi i dy kualiteteve spikatëse, si trajneri maqedonas Harri Nakovski dhe lojtari malazez Vuk Medenica janë një mundësi më shumë për t’i kthyer Teutës pas shumë vitesh titullin kampion. Në ekip luajnë edhe Blerim Pepaj, të rinjtë Xhulio Myftari dhe Ani Vora, vëllezërit Aldo dhe Jurgen Dashi, si dhe dy shuterët shijakas Edmond Moku dhe Entigleno Nazifi. Një faktor më shumë është edhe ndihma e kompanisë Floryhen dhe presidentit të saj Sami Gjergji, si dhe e donatorit Markelian Rexhepi.

Po për femrat vlen një pozicion i tillë?

Është e vështirë dhe të mos kërkojmë atë që mund ta realizojmë. Tirana dhe UMB Volej kanë kualitete shumë cilësore. Janë ekipe të kompletuara dhe të dalluara në merkato. Teuta prezanton një grup vajzash të reja, tërësisht nga Durrësi dhe atë ambicie që tregoi në kupën e FSHV-së, do ta manifestojë edhe në dy trofetë e tjera. Veçon këtu edhe efektiviteti i punës së trajnerit me përvojë Edmond Jazexhiu, i cili ka meritën për përshpejtimin e nivelit pozitiv që po manifestojnë në lojë volejbollistet që drejton prej disa vitesh. Objektivi për momentin është të jemi në katërshen e më të mirëve dhe të përfshihemi në luftën për titull.

Po në basketbollin e meshkujve, çfarë sinoptike parashikohet?

Edhe këtu arritjet janë të prekshme. Teuta jo vetëm siguroi grupin A, por u rendit e katërta. Këtë sezon do të mbështetemi tek djemtë durrsakë si Garo, Thana, Aliaj, Berberi, Isaku, Dodaj, Veselagu, Pasha, pasi merkato e zhvilluar sezonin e kaluar nuk dha rezultatet e pritshme.

Me largimin e Kastratit nga drejtimi i ekipit, është në fuqi ardhja e një trajneri të huaj që sigurisht shërben si nxitje për të thelluar arritjet edhe këtu?

Me sa di kjo është shprehur nga presidenti i ekipit Eduart Tafa. Hodhi një ide për të sjellë një specialist malazez. Ndoshta është hequr dorë nga ky opsion. Ekipi deri tani po drejtohet nga Sotiraq Mëngjesi, i cili spikat për përkushtimin dhe pasionin që tregon në stërvitje. Po mendojmë që edhe këtu të bëjmë më të mirën. Opsioni i trajnerit mbetet një version i hapur. Sa i takon synimeve kërkojmë të konkurojmë sa më mirë, pse jo të përfshihemi edhe në luftën për vende nderi.

Me volejbollin kemi vite që jemi në rrugë të mbarë dhe kjo po tregohet ende pa nisur mirë sezoni. Më shumë se kurrë kërkojmë të fitojmë titullin kampion dhe kupën e Shqipërisë. Trofeu i tretë pas këtyre dy të parave tashmë “pushon” në Durrës. Kemi bindjen e plotë se nuk do të lëshojmë edhe në të tjerat

Sa i takon sporteve të tjera, cilat janë zhvillimet që ja vlen të evidentohen në këtë intervistë?

Nuk mungojnë komplimentet për mundjen e lirë dhe trajnerin e saj të palodhur Fuat Brahi. Teuta ka mundës të tillë si: Sahid Prizreni, Emiljano Sinameta, Islam Islamaj, Altin Kurti, Imirjam Rabdishti, vëllezërit Azuni etj. që janë kampionë të vendit dhe pjesëtarë të ekipit kombëtar. Stërviten rregullisht dhe tani janë në punë e sipër për të përsëritur fitimin e titullit kampion. Shprehje e vlerësimit të kujdesit tonë dhe të Bashkisë ndaj kësaj pune, janë edhe miratimi i kërkesës për të vendosur një saunë në sallën e stërvitjes. Rregullimi i peshës së mundësave e kërkon si domosdoshmëri këtë investim.

Dhe veç mundjes?

Jemi mirë me shahun, bilardon, notin, në disa disiplina në atletikë, me peshëngritjen dhe boksin e të rinjve.

Ndonjë problematikë?

Jo çdo gjë shkon në vaj. Në tërësi puna e sportistëve dhe specialistëve karakterizohet nga përkushtimi dhe profesionalizmi, por mbetet ende për të bërë në gërshetimin e brezave pasi krijohen pauza në vijimësinë pozitive. Kështu psh. në pingpong, në gara të traditës në atletikë, në shahun e të rinjve, në basketbollin e femrave që ende nuk është në evoluimin e kërkuar etj.

Janë vënë re pengesa financiare?

Ka edhe dukuri të tilla, veçanërisht në lirimin e granteve nga qeveria. Në muajin gusht dhe deri tani që komunikojmë, fondet për investimet dhe blerjet e planifikuara, trajtimet ushqimore dhe pagesat e sportistëve vazhdojnë të qendrojnë të bllokuara. Sigurimet dhe pagesat për federatat për pjesëmarrjen në veprimtaritë kombëtare janë bllokuar në banka, sepse ende nuk është hapur drita jeshile për kalimin e tyre. Madje në disa sporte vihen re probleme, në pajisjen e sportistëve me uniformat e përfaqësimit. Shpresojmë që këto dukuri të evitohen, për të ndikuar në plotësimin me sukses të synimeve dhe objektivave tona.

Dhe në fund, cili është pozicioni i klubit tuaj, në raport me klubet e tjera rivale dhe sfiduese?

Më i mirë se çdo sezon tjetër. Kujdesi i Bashkisë dhe i kryetarit Vangjush Dako për sportet është rritur, po kështu edhe thithja e donacioneve të ndryshme është në kuota favorizuese. Jemi të bindur se kalimi me sukses i disa pengesave objektive dhe subjektive, duke shfrytëzuar punën e mirë të bërë deri tani, si dhe gatishmërinë e sportistëve dhe drejtuesve të tyre klubi Teuta do të jetë në nderin e sportit shqiptar.