Durrës, 5 mars 2014– Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, ka marrë pjesë në një konferencë të rëndësishme në Janinë të Greqisë ku është diskutuar në lidhje me bashkëpunimin dhe forcimin e marrëdhënieve midis bashkive kryesore të Greqisë dhe bashkisë së Durrësit si dhe bashkive të tjera të vendit tonë.
Kjo konferencë është organizuar nga lëvizja e 5 kryetarëve të bashkive greke ku marrin pjesë kryebashkiaku i Athinës, George Kaminis; ai i Selanikut Janis Butaris; Panos Skotiniotis, kryetari i bashkisë së Volos; Ioannis Dimaras nga qyteti i Patras dhe Filippos Filios, kryetar bashkie i Janinës.
Gjatë punimeve të kësaj konference, kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, ka bërë një rezyme të vlerave të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të qytetit bregdetar si dhe resurset që ofron Durrësi në fushën e turizmit.
Kryebashkiaku Dako ka bashkëbiseduar me kryetarët e bashkive greke në lidhje me bashkëpunimin e ndërsjellë dhe forcimin e marrëdhënieve midis njësive të pushtetit vendor për një sërë çështjesh që kanë të bëjnë me zhvillimin e ekonomisë së qyteteve shqiptare dhe atyre greke, programet dhe politikat që do të ndihmojnë menaxhimin e qeverisë lokale për bashkitë në Greqi dhe Shqipëri.
Lëvizja e 5 kryetarëve të bashkive greke është një nismë e ndërmarrë dy vjet më parë nga disa kryetarë të bashkive greke, që ka për qëllim të formojë një ekip njerëzish që do të merren me çështjet e qeverisjes vendore dhe politikave të zhvillimit.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





