DURRËS, 9 qershor 2014 –  Athina, nëpërmjet shtetasit grek Fortlumturisë së Tij Anastas, “projekton” për kryeministër të Shqipërisë Metën apo Bashën, duke “rrëzuar” Ramën.

Plas lufta e ftohtë mes Ekzekutivit shqiptar dhe Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë (KOASH).

“Dyrrah”-u ka zbuluar një skandal diplomatik, maskuar me ngjyra fetare, në faqet përkatëse on-line të Kryeministrisë dhe KOASH-it.

Kryeministri Edi Rama, nuk mjaftohet me bojkotimin e drekës zyrtare, por nuk boton në faqen zyrtare të Kryeministrisë asnjë njoftim për pjesëmarrjen e tij në shenjtërimin e Kishës së re Katedrale “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë dhe pritjen që u bëri primatëve dhe përfaqësuesve ortodoksë, së bashku me Kryepeshkopin Anastas në selinë e qeverisë (shih faksimilen e faqes data 31 maj-4 qershor 2014).

Kurse Kisha Ortodokse e Shqipërisë në njoftimin e saj të datës 2 qershor 2014, që përmban gjithsej 809 fjalë, për takimet e primatëve dhe përfaqësuesve të kishave ortodokse me krerët më të lartë të shtetit, pritjes së Kryeministrit z. Edi Rama i kushton vetëm një frazë me 32 fjalë ose 3.95 të tekstit dhe dy foto (shih faksimilen e njoftimit të KOASH-it, pjesa me blu fraza për Ramën).

Bie në sy që vendin e parë në tekstin e KOASH-it zë përshkrimi i takimit me kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë z. Ilir Meta me 295 fjalë ose 36.46 për qind të tekstit, me një raport 9,2 herë më shumë se Kryeministri.

Në vend të dytë, me një diferencë të vogël, është përshkrimi i takimit me Presidentin e Repubikës z. Bujar Nishani me  273 fjalë ose 33.74 të tekstit, me një raport 8, 5 herë më shumë se Kryeministri.

Në vend të tretë radhitet kryetari i opozitës (kështu e cilëson KOASH-i) dhe kryetar i bashkisë së Tiranës Lulzim Basha me 177 fjalë ose 21.87 për qind të tekstit, me një raport 5,5 herë më shumë se Kryeministri.

Zyra e shtypit e KOASH-it, që kryesohet nga shtetasi grek Fortlumturia e Tij Ansatas, e njeh mirë hierarkinë shekullare, ku rolet e Presidentit të Republikës dhe Kryetarit të Kuvendit janë honorifike.

Me sa duket, Athina zyrtare nuk e ka përtypur dot qëndrimin e qeverisë shqiptare ndaj paktit detar dhe do të bëjë çmos, në bashkëpunim me aleatin e PS-së, Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe opozitën shqiptare për përmbysjen e Kryeministrit Edi Rama.

Për më tepër, që z. Basha është nënshkruesi i marrëveshjes së Detit, kur z. Meta, që pasoi në postin e Ministrit të Jashtëm, ka qenë përkrahës i zjarrtë i tjetërsimit të kufirit detar.

Ish-Kryeministri Sali Berisha dhe ish-ministri i Jashtëm Ilir Meta i kanë ngarkuar në vitin 2010 ambasadorit aktual shqiptar në Moskë edhe detyrën e përfaqësuesit të shtetasit grek Anastas pranë Patriarkut të Kishës Ortodokse Ruse Kirill, miku i ngushtë i shtetasit grek Anastas në misionet në Afrikë.

Z. Berisha, në union me shtypin grek, ka protestuar ndaj hetimeve për paktin detar Shqipëri-Greqi.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/