Në një intervistë për gazetën greke “Kathimerini”, kryepeshkopi i Durrësit, Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, Anastas, ndër të tjera shpreh shqetësimin se në marrëdhëniet Shqipëri-Greqi po bëhen hapa prapa dhe bën thirrje të izolohen zërat ekstremistë. 

“Ndjek me shqetësim dhe dhimbje ecurinë e marrëdhënieve shqiptaro-greke, por nuk duhet të mjaftohemi vetëm me shqetësimin; duhet qasje pozitive dhe krijuese. Nuk duhet të lejojmë të dominojnë zërat ekstremistë, të cilët kultivojnë armiqësi dhe urrejtje mes popujve. Shumica e kupton se vetëm bashkëpunimi dhe harmonia mes popujve, sot në shekullin 21, do të na çojnë në prosperitetin e përbashkët”, shprehet kryepeshkopi. 

Ai kërkon nga të gjitha palët seriozitet, përmbajtje dhe dialog konstruktiv. 

“Ballkani shpeshherë ka vuajtur nga nacionalizmat. Ajo që ka rëndësi është kursi ynë në një Evropë të bashkuar, të mirëkuptimit dhe respektit të ndërsjellë. Personalisht unë mendoj se fjala e fundit nuk është urrejtja, por dashuria. Dhe dashuria e përsosur sfidon frikën. Çdo frikë”, ka thënë ai. 

Janullatos shprehet se si kryepeshkop ka mbështetur jetën, besimin, durimin dhe ka punuar për vëllazërinë, paqen, pajtimin në mesin e njerëzve dhe të kombeve.