5 tetor 2014 – Adnan Januzaj mund të rikthehet te Anderlecht, skuadra ku nisi karrierën si lojtar. Mesfushori belg me origjinë shqiptare nuk po gjen hapësira te Manchester United i erës Van Gaal, prandaj trajneri Besnik Hasi kërkon ta bashkojë me skuadrën e tij gjatë merkatos se dimrit. Lajmi bëhet i ditur nga mediat belge, sipas të cilave, Januzaj mbetet objektivi kryesor i kampionëve të Belgjikës në merkato. Sulmuesi i lindur në Bruksel ndiqet prej disa kohësh edhe nga Juventusi, por prania e Hasit në stolin e Anderlecht dhe e shkuara e tij në klubin belg, mund t’i mbushin mendjen për një rikthim të shkurtër përpara rikthimit të tij në Angli me Manchester United ku vetëm disa muaj më parë nënshkroi një kontratë deri në vitin 2018.

Nga ana tjetër, Administratori i Deleguar i bardhezinjve, Beppe Marotta nuk është dorëzuar ende, duke shpresuar që Van Gaal ta lirojë talentin për një shumë modeste në muajin Janar, me të drejtë blerjeje gjatë merkatos së verës. Fjalën e fundit për këtë çështje do ta thotë Van Gaal, por sipas të gjitha gjasave, e ardhmja e Januzajt është larg “Old Trafford” ku yjet e milionave kanë eklipsuar talentin e 19-vjeçarit.