ANGLI, 28 mars 2013 – Ka shumë futbollistë shqiptarë që luajnë me skuadra të njohura europiane por fatkeqësisht një pjesë e madhe e tyre e ndoshta më të mirët nuk luajnë për ngjyrat kuqezi dhe kjo nuk është diçka e mirë për të gjithë shqiptarët dhe futbollin e skuadrës përfaqësuese. Ndoshta me disa elementë si Shaqiri, Behrami, Xhaka apo talentet Bunjaku e Januzaj, do të kishim tani një skuadër kombëtare shumë më të fortë e më me të ardhme në kompeticionet ndërkombëtare.

Talenti Januzaj, simbol i suksesit

Futbollisti kosovar Adnan Januzaj po vazhdon të shkëlqejë te klubi i madh anglez Mançester Junajtid. 18-vjeçari të hënën mbrëma shënoi dy gola dhe përgatiti një në fitoren 3:1 të ekipit U-19 të Junajtid kundër Dallas Teksans. Ndeshja ishte e dyta për Junajtid në kuadër të turneut prestigjioz "Dallas Cup" që po zhvillohet në SHBA. Të rinjtë e Junajtid kanë fituar edhe ndeshjen e parë. Januzaj në minutën e 24-t asistoi për golin e parë të skuadrës së tij. Në pjesën e dytë, ai shënoi dy herë për të siguruar fitoren. Realizoi në minutën e 74-t nga loja dhe në minutën e 83-të nga penalltia. Januzaj në verë të vitit 2011 iu bashkua Akademisë së Mançester Junajtid nga akademia e Anderlehtit belg. Së fundi është duke luajtur për ekipin rezervë të Junajtid. Vlerësohet ndër futbollistët më të talentuar, ndërsa fjalë të mira për të ka thënë edhe trajneri i Mançester Junajtid, Aleks Ferguson. Ai ka parashikuar se Januzaj mund të ketë të ardhmen në ekipin e parë të Junajtid.  

Roli i Besnik Hasit

Adnan Januzaj ishte një talent që ra në sy që në moshën 15 vjeçare, pikërisht te klubi i Anderlehtit në Belgjikë. Besnik Hasi ishte pjesë e stafit drejtues dhe pati një rol të rëndësishëm që talenti me origjinë kosovare të zgjidhte akademinë e Mançester Junajtid. Besnik Hasi e këshilli futbollistin të bënte zgjedhjen e madhe dhe vetë Januzaj mori vlerësime të menjëhershme sapo veshi fanellën e Junajtid. Më pas Aleks Ferguson bën një vizitë te ekipi i të rinjve dhe ende pa e parë dhe pa e ditur se kush kishte ardhur nga të rinjtë, fill pas një ndeshje kontrolli, vuri gishtin te Adnan Januzaj, duke thënë më pas se kishte zbuluar Devid Bekamin e ri të Mançesterit. Aq u desh që mediat britanike të fokusohen te talenti Januzaj. Që nga ai moment kosovari ka bërë progres dhe është një nga futbollistët me të ardhme në klubin e “djajve” anglezë.

/Gazeta "Sot"/