Katër kryepleq të njësisë administrative Ishëm nga 9 që janë në total, kanë dhënë dorëheqjen e parevokueshme nga detyra.

“DurrësLajm” kontaktoi me njërin prej tyre, Nazmi Zela, i cili pranoi se e ka dhënë dorëheqjen që në datë 10 qershor, por ndërkohë nuk e ka dorëzuar ende vulën, për shkak se nuk i është marrë ende në dorëzim nga stafi i bashkisë.

Zela thotë se shkak për dorëheqjen e parevokueshme është bërë fakti se disa ditë më parë policia ka shkuar për ta arrestuar, pasi në zonën që ka nën administrim, është zbuluar një sasi kanabisi e mbjellë.

Zela thotë se e ka marrë detyrën e kryeplakut më 21 maj, dhe thotë që nuk mund të mbajë përgjegjësi për një sasi kanabisi që mund të jetë mbjellë përpara se ai të merrte këtë funksion.

Pas Zelës edhe kryepleqtë e tjerë e kanë dhënë dorëheqjen e parevokueshme për të njëjtën arsye.

Dorëheqja e 4 kryepleqve pranohet nga kryetari i Njësisë Administrative Kadri Gjyli, i cili pranon se nga pamundësia për të kontrolluar territorin i ka shtyrë 4 nga vartëit e tij të japin dorëheqjen.

M.B.