Autoritetet japoneze thanë sot se kanë prerë rreth 100,000 lule tulipanësh për të shmangur grumbullimin e admiruesve të tyre, që mund të shkaktojë përhapje të koronavirusit.
Lulet e ndezura shumëngjyrëshe mbulonin fusha të tëra në kopshtet e Sakura, në lindje të Tokios, dhe ishin një nga atraksionet kryesore turistike në kohën e çeljes në pranverë.
Por teksa vendi zbaton masat e distancimit social për të mundur epideminë, zyrtarët vendosën të prisnin shtretërit e bimëve për të mos tërhequr vëmendje.
Ata anulluan gjithashtu festivalin e përvitshëm të tulipanëve në kopshtet Sakura Furusato Hiroba.
Zyrtari i turizmit të qytetit Sakiho Kusano, tha: “Shumë vizitorë vijnë në fundjavë kur lulet janë në çelje. Nisi të bëhej grumbullim masiv prandaj nuk kishim zgjidhje tjeër përveçse t’i prisnim”.
Rreshtat me lule rozë e të kuqe mbulonin rreth 7,000 metër katrorë kopshte por tani janë zhdukur duke lënë vetëm kërcejtë jeshilë.
Disa trëndafilë duket që kanë rezistuar mes kërcejve por dhe ato janë dhuruar për kopshtet e fëmijëve.
Disa pjesë të fushës janë kthyer në arë të lagësht pas krasitjes masive.
Vizitori Misako Yonekubo, kur pa kopshtet e trishta tha: “Kjo është shumë për të ardhur keq. U trishtova shumë kur e pashë”.
Japonia ka arritur të vërë nën kontroll pandeminë me vetëm 11,512 raste të konfirmuara dhe 281 vdekje. Më herët, ajo ishte pikë fokusimi për pandeminë kur kroçera e infektuar “Diamond Princess” u ankorua në portin e Jokahama.





