TIRANE, 04 mars 2013- Në harkun kohor prej një viti, janë vjedhur 17 farmaci nga të cilat 7 janë në Tiranë, tha sot Presidenti i urdhrit të Farmacistëve, Arjan Jaupllari, në një konferencë për mediat. 

Jaupllari theksoi se "të gjitha rastet janë denoncuar, nga vetë farmacistët, në organet e policisë, por deri më sot, sipas informacioneve që disponojmë, nuk na rezulton të jetë zbuluar asnjë rast i ‘kusarisë’ ndaj farmacive". 

Sipas tij, qëllimi i këtyre akteve është paraja, por dhe malli që shitet për të fituar paratë. "Problemi qëndron se barnat nuk janë thjesht një mall i zakonshëm që shiten si ushqimet, frutat apo perimet. Barnat mbartin një rrezik të madh për popullatën, kur janë në dorën e jo profesionistëve dhe aq më keq pastaj në dorën e kusarëve", tha Jaupllari, duke shtuar se rrugët e shitjes së paligjshme të këtyre barnave janë importuesit ose shpërndarësit e barnave, farmacitë dhe populli. 

Rreziku, sipas tij, qëndron në faktin se pas vjedhjes e deri sa ta shiten nuk respektohet asnjë kusht i ruajtjes së barnave, në këtë mënyrë ky kontigjent është i pasigurt për t’u përdorur. Duke paralajmëruar për shtimin e këtij fenomeni dhe rrezikun e shitjes së këtyre barnave tek qytetarët, Jaupllari u bëri thirrje organeve të drejtësisë të vlerësojnë këtë fenomen jo thjesht si një vjedhje e ndodhur rëndom, por si një krim me pasoja të rënda për jetën dhe shëndetin e përdoruesve të këtyre barnave.