11shtator 2015 – Java 3 e Kategorisë Superiore do të sjellë duele interesante, të cilat mund të ravijëzojnë edhe pretendimet e skuadrave për këtë edicion. Javën e starton përballja midis debutuesve të Tërbunit dhe kampionëve të Skënderbeut. Në Ismail Xhemali korcarët rikthehen pas 3 ditësh, ku dolën të fituar në 90 minutëshin ndaj Vllaznisë. Me mendjen tek Beshiktashi për formacionin e Mirel Josës detyra është suksesi pavarësisht lojës. Në këtë takim trajneri kryeqytetas pritet të aktivizojë formacionin e “kampionatit”, duke lënë pushim titullarët që do të luajnë të Enjten në Elbasan Arena. Kjo përballje nuk i gjen në humorin e duhur vendasit të cilët kanë kaluar një javë shqetësuese me problemet financiare që ende nuk janë zgjidhur.
Në Zeqir Ymeri Kukësi me ritmin e sambës do të përballet me surprizën e këtyre dy javëve, Teutën. Humbja me Skënderbeun në javën e dytë është një kujtim i largët dhe pauza e kampionatit ka shërbyer për të risjellë qetësinë e nevojshme. Përballë do të kenë Djemtë e Detit të cilët udhëhiqen nga Gugash Magani, njeriu që presidenti i nënkampionëve Safet Gjici tentoi ti jepte drejtimin e skuadrës. Kukësi vjen në këtë duel me moralin lart pasi ka fituar 7 përballjet e fundit në shtëpi dhe jashtë.Rikthimin tek suksesi kërkon Tirana që luan ndeshjen e parë sezonale në shtëpi, përballë Bylisit. Bardheblutë kanë shtyrë debutimin në Selman Stërmasin e rinovuar dhe në Qemal Stafa pritet me interes skuadra e sezonit të ri. Rikthimi i Elis Bakajt ka rritur entuziazmin tek 24 herë kampionët që ndaj Bylisit synojnë edhe lojën e bukur. Por Bylisit i kanë shërbyer këto dy javë pushimi për të ofruar një skuadër tjetër ndaj Tiranës, dhe për këtë arsye kjo mbetet një sfidë tepër interesante.Në Peqin Flamurtari pret Lacin, që është kthyer në një mace të zezë për vlonjatët. Në 7 duelet e fundit midis tyre kuqezinjtë kanë fituar vetëm njërin prej tyre dhe kanë barazuar 3 të tjera. Ky 90 minutësh është shumë i rëndësishëm për të ardhmen e trajnerit Stanislav Levi që pas dy humbjeve të para ka humbur besimin e ambientit në Vlorë. Me moralin lart vjen Laci që ka marë dy barazime ndaj pretendentëve si Partizani dhe Tirana, ku dhe janë ndjerë të vjedhur, pasi në të dyja takimet e kanë mbyllur sfidën me 10 futbollistë.