28 shtator 2015 – Java e 5-të e kampionatit ka vendosur rekorde në futbollin shqiptar. Kështu Skënderbeu vazhdon rrugën e fitoreve dhe për herë të parë në historinë e klubit regjistron 5 fitore në po kaq javë kampionat. Kampionët me këtë sukses thyen edhe një tabu tjetër pasi kishin mbi 15 vite pa fituar në transfertë përballë Bylis. 4 golat e realizuar erdhën me 4 autorë të ndryshëm, duke treguar se forca goditëse është në të gjitha repartet. Për ballshiotët pika e marrë ndaj Tiranës është si një kamardare në detin e trazuar të këtij fillim kampionati. Partizani vijon rrugën e suksesit teksa risia është mungesa e penalltisë në favor të të kuqve. Në Ismail Xhemali 15 herë kampionët kanë thyer Tërbunin, që në shtëpi ende nuk e ka marrë pikën e parë, kjo dhe për shkak të kalendarit të keq në këto javë.
Formacioni i Starovës ka merituar fitoren por në momente të caktuara ka treguar mungesë përqendrimi, duke lejuar barazimin e përkohshëm por edhe duke rrezikuar deri në fund fitoren. Kukësi vijoi traditën ndaj Flamurtarit, teksa risia në përballjen e tyre në Zeqir Ymeri ishte vetëm një gol i realizuar. Nënkampionët të cilët kanë shënuar me bollëk në duelet direkte në shtëpi me vlonjatët vuajtën disi për të siguruar suksesin e 3-të radhazi në shtëpi, duke e kthyer në kështjellë impiantin e tyre. Për Flamurtarin ka shumë punë për t’u rikthyer si konkurrentë, ndoshta duhet të mendojë edhe për trajnerin e ri që ka shfaqur probleme shëndetësore dhe ka humbur dy takimet e fundit.
Me një fitore të pastër i rikthehet pretendimeve Tirana, që mposhti surprizën e kampionatit, Teutën. Bardheblutë e Shkëlqim Mucës iu falën dy qendërmbrojtësve për të dalë me pikët e plota përpara publikut. Pavarësisht humbjes, Djemtë e Detit treguan nivel të mirë loje dhe mbeten në pjesën e sipërme të klasifikimit.
Nuk ka fund kriza për Vllazninë që vendos rekordin me 5 humbje radhazi, por edhe 13 ndeshje radhazi pa fitore. Në Pukë shkodranët u mposhtën nga Laçi me rezultat minimal, një humbje që i kushtoi vendin e punës trajnerit Luan Zmijani. Kurbinasit me cinizmin e tyre tashmë i janë kthyer pretendimeve teksa janë një nga 3 skuadrat e vetme që nuk njohin humbje.
/portali DurresLajm/