11 nëntor 2015

Teuta 8– Ndoshta është e vetmja skuadër në këtë moment që di të ringrihet pas çdo shuplake që merr. Di të shënojë edhe kur e barazojnë dhe di të luftojë, sidomos me ekipet që i ka rivale të drejtpërdrejta. Është me meritë aty ku është dhe ka lënë mbrapa ekipe shumë cinike dhe me traditë si Tirana dhe Laçi. Të mundësh Flamurtarin, nuk është asnjëherë e lehtë.

Partizani 7- Mund Laçin që është gjithnjë e më shumë në errësirë. Merr një gjysmë note më pak sepse merr gol gati në çdo ndeshje dhe këtë herë dy të tillë. Por, gjithsesi, është për rekorde dhe realizon fitoren e nëntë radhazi duke u konfirmuar gjithnjë e më shumë si anti-Skënderbeu dhe frika më e madhe e korçarëve për t’i rrëzuar nga froni.

Tirana 7– Tri ndeshje dhe tri fitore radhazi, pavarësisht se njëra në Kupë. Ekipi i Dajës është krejtësisht ndryshe. Nuk ka një qendërsulmues të mirëfilltë, por shënon sistematikisht dhe fiton 3-0. Kjo, edhe pse përballë kishte një ekip si Tërbuni që gjithsesi është mbrojtja më e dobët e kampionatit. Fakt është që ka përmirësim të vazhdueshëm dhe mbi të gjitha ka rregulluar balancat mes reparteve.

Skënderbeu 7– Mund Vllazninë dhe konfirmon sulmin më të frikshëm të Superiores. Luan mirë, edhe pse në fragmente të caktuara shkodranët u munduan që ta vendosin në vështirësi. Megjithatë, konfirmuan edhe një herë se sistemi 4-4-2 e bën më të brishtë ekipin e Josës, sesa 4-5-1 me të cilin dërrmoi edhe Sportingun e Lisbonës.

Bylis 6.5– Ka meritën që ndali një skuadër si Kukësi me shumë elemente. Ka meritën që e barazoi rezultatin sepse ishte në disavantazh dhe deri në minutat e fundit ishte duke u mundur. Ka meritë gjithashtu që reagon kaq mirë, edhe pse është një ekip pa trajner dhe pa një filozofi loje të saktë. Megjithatë, është një skuadër që ka cilësi dhe ka sedër.

Kukësi 5– Gjysmë note me hatër sepse e shpëton pika e marrë në Ballsh, por nuk mjafton ky ritëm. Jo vetëm për titullin, por as për Kupat e Europës. Një skuadër që zvogëlohet gjithnjë e më shumë në transfertë.

Vllaznia 4– Loja e bukur me grimca nuk është më një alibi. Sigurisht që kanë probleme pa fund jashtë fushës së blertë, por dinë të sakrifikojnë pak, ndonëse nuk kanë mësuar të vuajnë sa duhet për të marrë qoftë edhe një pikë me kampionët.

Flamurtari 3.5– Kaosi në zyra vazhdon që të shfaqet edhe në fushë. Lojtarët morën një dorë parash, por kjo nuk mjafton për t’i qetësuar psikologjikisht. Morën një leksion nga durrsakët dhe humbën dy herë ndaj Teutës, që nuk është aspak komode.

Laçi 3.5– Shumë mungesa dhe fat jo i mirë. Gjithashtu, një gjendje jo e mirë as fizike dhe as psikologjike. Të humbësh me Partizanin nuk është tragjedi, por ta barazosh dy herë është mirë që të mbrohesh më fort dhe të jesh më agresiv për të ruajtur një pikë me të.

Tërbuni 3– Pëson tre dhe konfirmohet si mbrojtja më e dobët e kampionatit, gjithashtu kanë probleme të theksuara me sulmin. Skuadra nuk është “kurrkund”, edhe pse shfaqi sinjale të mira pas ardhjes së Garganos.

/portali DurresLajm/