31 gusht 2015 – Java 2-të e kampionatit shqiptar ka konfirmuar “urinë” e Skënderbeut për të vijuar dominimin në futbollin shqiptar, Laçin si “macen e zezë” të Tiranës, Teutën si surprizën e këtij edicioni, teksa ka parë të regjistrojë fitoren e parë sezonale Partizani si dhe triumfin historik të Tërbunit që shijon suksesin e parë në elitën e futbollit në vend. Surpriza, emocione por edhe zhgënjime ka dhuruar 90-minutëshi i dytë i sezonit që kësaj radhe në ndryshim nga java e parë është luajtur e plotë.

Skënderbeu trimfoi me dominim total ndaj Kukësit, dhe pavarësisht emocioneve të forta në Europë, formacioni i Mirel Josës tregon se “uria” është e madhe për të vijuar qëndrimin në majën e futbollit shqiptar. Nënkampionët janë dukur të vegjël dhe pauza e kampionatit për shkak të impenjimit të Kombëtares vjen në kohën e duhur për ta, që duhet të konsolidojnë akoma më shumë grupin. Në Krujë, Laçi tregon se dominimi ndaj Tiranës në vitet e fundit nuk është rastësi. Formacioni i Armando Cungut ndali bardheblutë që stonuan në lojë, duke marrë dy pikë në dy ndeshjet e para ndaj skuadrave pretendente. Për trajnerin e 24 herë kampionëve, Shkëlqim Mucën, përpara është një sfidë e vështirë, pasi duhet të konsolidojë grupin që në këtë sezon ka pritshmëri të mëdha.

Teuta vijon të surprizojë duke marrë komandën e Kategorisë Superiore, pasi gjendet në krye me pikë të plota në dy javët e para. Ndaj Vllaznisë nuk u pa e njëjta skuadër si ndaj Flamurtarit, pasi në momente të caktuara Djemtë e Detit hasën vështirësi. Shkodranët që bënë debutimin sezonal në këtë ndeshje treguan shumë limite teksa më të rinjtë në përbërje mbijetesa duket shumë e vështirë. Partizani rikthehet te fitorja në një ndeshje emocionuese deri në vërshëllimën e fundit ndaj Flamurtarit. Vlonjatët treguan një lojë shumë të mirë duke reaguar pas kritikave për paraqitjen në javën e parë ndaj Teutës. Formacioni i drejtuar nga Stanislav Levy me pak kujdes mund të dilte me pikë në “Qemal Stafa”, aty ku Partizani regjistroi suksesin e parë sezonal. Fundjavë historike konsiderohet për Tërbunin, që në Gjirokastër triumfon pastër 0-2 ndaj Bylis duke shënuar suksesin e parë në historinë e Superligës Shqiptare. Me lojën e zhvilluar pukjanët treguan se do të jenë një kundërshtar i vështirë për t’u mundur dhe një pretendent serioz për të qëndruar mes më të mirëve.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/