Numri i viktimave nga Coronavirusi është rritur në Itali dhe emergjenca ka kapur kufirin maksimal. Nga virusi vdekjeprurës është prekur edhe futbolli pasi 4 ndeshje të javës së 25-të u shtynë ndërsa tashmë duke iu referuar deklaratave të kryeministrit Giuseppe Conte mund të shtyhet e gjithë java e 26-të përfshirë edhe supersfidën e mes Juventusit dhe Interit. Problemi qëndron se nuk ka data të lira se kur mund të riluhen sfidat e shtyra për faktin se disa skuadra janë të impenjuara në Kupat e Europës dhe në verë është Europiani dhe kampionati duhet të mbyllet disi më herët.

Zyrtarët më të lartë të federatës italiane të futbollit dhe ata të ligës së futbollit janë mbledhur që në orët e para të kësaj të hëne për të diskutuar për masat që do të marin për javën e 26-të e Serisë A, pasi qeveria ka kërkuar që deri në 1 mars të mos zhvillohet asnjë aktivitet sportiv.

Sfida mes Udineses dhe Fiorentinës mund të konsiderohet e shtyrë pasi rajoni i Friuli-Venezia-Giulias ka bërë një komunikatë për shtyrjen e të gjitha aktiviteteve sportive gjatë kësaj jave.

Një tjetër opsion është që të gjitha ndeshjet e kësaj jave të luhen me dyer të mbyllura, ndërkohë që klubi i Juventusit e përjashton një hipotezë të tillë për supersfidën ndaj Interit dhe do t’i kërkojë federatës që kjo ndeshje të luhet në një fushë neutrale me praninë e tifozëve. Në orët e ardhshme federata italiane e futbollit do të marrë vendimin përfundimtar se çfarë do të ndodhë me sfidat e javës së 26-të të Serie A.