28 tetor 2015 – Java e 9-të e Kategorisë Superiore është ndarë në dy ditë të fundjavës. E shtuna rikthehet të jetë e ngarkuar me futbollin shqiptar, pasi fundjavën që lamë pas, të 5 takimet u luajtën të dielën. Edhe këtë javë nuk do të mungojnë përplasjet e mëdha, ashtu si dhe sfidat për mbijetesë. Dy do të jenë sfidat që do të startojnë xhiron e 9 të kampionatit, që është dhe e fundit e fazës së parë, ndeshje të cilat do të zhvillohen në orën 14:00.
Në “Ismail Xhemali” të Pukës luhet sfida Tërbuni-Laçi, me vendasit që kërkojnë pikën e mbijetesës, teksa kurbinasit për t’iu rikthyer ambicieve të zonës europiane. Në të njëjtën orë rreth 300 km më larg luhet një tjetër duel interesant, pasi në “Adush Muca” të qytetit të Ballshit, Bylis pret Vllazninë në një sfidë direkte për mbijetesë. Dy skuadra që vijnë nga një pikë e artë e marrë javën e kaluar premtojnë për një 90 minutësh të luftuar.
Ndërkohë e shtuna do të mbyllet me sfidën që do të luhet në stadiumin “Skënderbeu” të Korçës, midis kampionëve vendas dhe Flamurtarit. Në orën 17:00, kampionët do të presin vlonjatët në një duel që sezone më parë luhej për titullin kampion.
Ndërkohë të dielën do të luhen dy takimet e tjera, dy supersfida të cilat vijnë në orare të ndryshme. Të parët në fushë do të zbresin Tirana dhe Kukësi, që në orën 14:00 do t’i japin jetë një dueli interesant në “Qemal Stafa”. Bardheblutë kërkojnë rikthimin te fitorja, ndërsa nënkampionët për të qëndruar në garë për titullin.
Java do të mbyllet me një tjetër supersfidë, pasi në “Niko Dovana” të qytetit të Durrësit do të luhet Teuta – Partizani. Në orën 17:00 të së dielës, djemtë e Maganit do të synojnë të mposhtin për herë të parë të kuqtë, të cilët kanë marë kreun e klasifikimit pas 7 fitoreve radhazi që pasuan atë barazim me Laçin në javën e parë. Të gjitha takimet e kësaj jave do të transmetohen si zakonisht në Supersport.
Të shtunën
Tërbuni – Laçi 14:00
Bylis – Vllaznia 14:00
Skënderbeu – Flamurtari 17:00
Të dielën
Tirana – Kukësi 14:00
Teuta – Partizani 17:00
/portali DurresLajm/