Tiranë, 1 shtator 2014 –  Teksa janë mbyllur 90 minutat e dyta të Kategorisë Superiore, rezultatet teknike konfirmojnë edhe një herë atë që pritej, rivalitetin dhe garën e fortë sportive për të arritur objektivat. Kjo javë e dytë tregoi se asgjë nuk falet, pasi edhe fitoret e pretendentëve me skuadrat të ashtuquajtura më të lehta erdhën me vuajtje. Kukësi dhe Skënderbeu djersitën shumë ndaj Elbasanit dhe Laçit, ndërsa Tirana mori një dhuratë në sfidën direkte me Flamurtarin. Për herë të parë në histori Kategoria Superiore sheh në krye Kukësin, që për efekt golavarazhi lë prapa Tiranën dhe Skënderbeun.

Pavarësisht se rezultati përfundimtar u ndal në shifrat 3-0 verilindorët vuajtën jo pak ndaj Elbasanit, që me pak kujdes mund të kishte goditur dy herë nënkampionët e vendit. Ashtu si Kukësi vuajti dhe Skënderbeu që priti minutën e 82-të për të zhbllokuar sfidën dhe për më tepër me një qendërmbrojtës. Dy rezultate që tregojnë se pavarësisht investimeve të kundërta të skuadrave ky kampionat do të mbetet maksimalisht i luftuar. Për të vërtetuar këtë mjafton të shohësh humbjen e Partizanit, një tjetër pretendent për titull në fushën e Apolonisë.

Pas sinjalit të dhënë javën e parë ndaj Tiranës, fierakët triumfuan ndaj të kuqve të kryeqytetit, duke treguar ambiciet por dhe duke i lëshuar sinjale skuadrave të Superligës se duhen marrë në konsideratë. Ndërkohë pritej që dy pretendentët Tirana dhe Flamurtari të dhuronin më shumë emocione në fushë, por dicka e tillë nuk ndodhi dhe supersfida e javës së dytë u zgjidh nga një gabim i portierit Ilion Lika. Në këtë 90 minutësh u pa luftë e fortë sportive, por mbi të gjitha frika për të gabuar, duke penalizuar skuadrat të shprehen më së miri.

Java e dytë risolli në jetë Vllazninë, që tashmë lë zonën e akullt, duke dalë në sipërfaqe me tre pikëshin e marrë në Durrës ndaj Teutës. Shkodranët kanë befasuar në “Niko Dovana”, pasi përvec nisjes së kampionatit me minus 3 pikë, shiheshin si një ekip i ndërtuar në minutat e fundit. Por në 90 minutëshin e javës së dytë u dha sinjali se ekipi më i vjetër në Shqipëri është gati për të sfiduar këdo, ashtu sic bënë në javën e parë ndaj Kukësit, ku mungoi rezultati. Klasifikimi për momentin nuk gënjen, pasi ashtu sic pritej pak a shumë skuadrat kanë pozicionin që mendohej, por loja e treguar të bën të mendosh se këtë sezon asgjë nuk është e sigurtë.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/