Ministri i Brendshëm Taulant Balla zhvilloi një takim në një shkollë të njohur profesionale të Lushnjes, me nxënësit e kësaj shkolle, stafin arsimor, i shoqëruar edhe nga zyrtarë vendorë e drejtues të policisë.
Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Balla nënvizoi disa nga pikat kryesore të Paketës së Sigurisë në Shkolla dhe bëri të ditur se tashmë janë depozituar në Ministrinë e Drejtësisë, disa ndryshime në Kodin Penal, në lidhje me disa vepra që kanë të bëjnë me sigurinë e nxënësve në shkolla.
Balla theksoi në fjalën e tij se “prindërit tuaj na e kanë besuar ne përgjegjësinë e madhe, na e kanë dhënë ne detyrën që të kujdesemi për ju që nga momenti që niseni nga shtëpia e deri në momentin që riktheheni në shtëpi”.
Ministri kërkoi nga të rinjtë të mbajnë distancë nga çdo fenomen kriminal por posaçërisht të rrinë sa më larg përdorimit të lëndëve narkotike e të mos bien pre e rrjeteve kriminale të shpërndarjes.
Më poshtë, fjala e plotë e Ministrit Balla, mbajtur në këtë takim:
Faleminderit për ftesën, edhe pse nuk e dija se do duhet të mbanim një fjalë në këtë takim, por gjej rastin ta falenderoj delegacionin e Komisionit Europian në Tiranë për nxitjen e kësaj jave, do ta quaja unë, ndërgjegjësimi, të të gjithëve vendimmarrësve, lidhur me fokusin dhe vëmendjen që duhet të kemi tek aftësimi profesional, edhe pse si përfaqësues dhe si një prej anëtarëve të qeverisë së Kryeministrit Rama, nuk mund të rri pa e fshehur krenarinë për faktin se kjo qeveri e ka pasur, e ka dhe do të vazhdojë ta ketë arsimin profesional si një prej objektivave dhe vëmendjeve të saj më të shtuar.
Arsyeja shumë e thjeshtë, sepse në vitin 2013 kur shqiptarët na besuan përgjegjësinë e madhe të qeverisjes, e gjetëm arsimin profesional në një ditë të vështirë. Kemi shkruar një histori të re lidhur me arsimin profesional por e pranojmë që ende nuk jemi aty ku duam dhe Shqipëria ka nevojë të jemi në qasjen tonë ndaj arsimit profesional shtuar këtu faktin që Shqipëria çdo ditë e më shumë ka nevojë për profesionistë në shumë sektorë.
Kemi përmbyllur një sezon turistik, do ta quaja unë, me rezultate historike, për sa i përket numrit të turistëve të huaj vizituan Shqipërinë dhe kemi parë se për t’i dalë ballë sfidës së vitit të ardhshëm, na duhen më shumë profesionistë në shumë sektorë.
Por shkolla ku jemi sot ka një fokus tejet të veçantë, fokusi është dhe lidhet kryesisht me faktin që Lushnja, apo Myzeqeja është hambar i prodhimit bujqësor shqiptar dhe prandaj duhet t’ia rikthejmë, jo vetëm kësaj shkolle profesionale, por Lushnjes dhe Fierit gjithashtu, fokusin e veçantë tek përgatitja, aftësimi profesional në sektorin e bujqësisë dhe atë të blegtorisë.
Prandaj është shumë e nevojshme të kemi edhe pjesën që lidhet me mekanikën bujqësore. Çdo ditë e më shumë, çdo familje që e ka lidhur jetën e vet me bujqësinë investon në mekanikë bujqësore e për pasojë krijohet nevoja për të pasur sa më shumë specialistë që dinë të merren me mekanikën bujqësore me trajtimin, me riparimin e çdo lloj makinerie bujqësore.
Unë gjej rastin t’i falenderoj të gjithë kolektivin e kësaj shkolle, drejtues, mësues, mësuese dhe natyrshëm edhe këta djem e vajza, djemtë janë më shumë, vajzat janë më pak këtu. Nuk jemi si në qeveri ku djemtë janë më pak dhe vajzat janë më shumë. Por kjo është një gjë e mirë dhe gjej rastin t’i falenderoj të gjithë për punën, stafin dhe vajzat që kanë vendosur të frekuentojnë këtë shkollë, e cila ka një traditë, sikurse e tha
Kryetarja e Bashkisë, tashmë të konsoliduar.
Detyra ime, e Eriseldës, e Bujarit, e Tatjanës natyrshëm e ministres që mbulon pikërisht këtë fokus të veçantë të qeverisë ndaj të rinjve, Borës, është që kësaj shkolle në një kohë të shkurtër t’i japim tërësisht një pamje të re, jo vetëm në aspektin e infrastrukturës, por edhe në aspektin e përqasjes që kjo shkollë duhet të ketë ndaj nevojave që ka realisht Lushnja dhe Myzeqeja, duke zgjeruar edhe degët apo numrin e profesioneve, për t’u rikthyer në fakt edhe te disa profesione që i kemi pasur, por ata që drejtonin Shqipërinë dhjetë vite më parë, i hoqën për arsye që nuk dua të hap asnjë diskutim apo debat të karakterit politik.
Si ministër i Brendshëm sa herë që gjendem në një shkollë, në një komunikim me nxënësit, në një komunikim me mësuesit, fokusi për mua mbetet “Paketa e Sigurisë në shkolla”.
Edhe kjo shkollë është pjesë e përkujdesjes së veçantë si çdo shkollë në Republikën e Shqipërisë nga Policia e Shtetit, nga institucionet e tjera, përfshirë këtu AKU, ISHSH dhe institucionet e tjera të cilat duhet domosdoshmërisht të garantojmë që jo vetëm brenda oborrit të shkollës, por brenda një perimetri të përcaktuar në bashkëpunimin mes institucioneve shtetërore dhe bashkisë, dhe Policisë së Shtetit, të kemi shkolla në të cilat nxënësit të mos bien pre e kurtheve të keqbërësve për t’ju futur në rrjetin e përdoruesve të lëndëve narkotike.
Dua të jem shumë i drejtpërdrejtë me të gjithë këta djem dhe dua t’ju shoh të gjithëve në sy, droga është armiku më i madh i shëndetit tuaj, edhe i familjeve tuaja. Prandaj duhet ta rrisim bashkëpunimin me njëri-tjetrin për të ndarë informacion mbi këdo që tenton, guxon dhe afrohet për të bërë biznes me jetën dhe shëndetin tuaj.
Dje kemi depozituar zyrtarisht te Ministri i Drejtësisë, propozimet tona si Ministri e Brendshme lidhur me ashpërsimin apo cilësimin e të gjitha veprave penale që bëhen në dëm të nxënësve në çdo shkollë të Shqipërisë, çdo të riu, në çdo cep të Shqipërisë. Kushdo që do të guxojë, pas miratimit të këtyre ndryshimeve ligjore në KP, për të shpërndarë lëndë narkotike pranë shkollave, për të kryer vepra të tjera penale të dhunës, të përfshirjes së njësive tregtare pranë shkollës në shpërndarje lëndësh narkotike, të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor pranë shkollës dhe vepra të tjera penale, pas miratimit të kësaj pakete, ato do të jenë më të cilësuara, në kuptimin, më të ashpra ndaj kujtdo që do të jetë i përfshirë.
Prindërit tuaj na e kanë besuar ne përgjegjësinë e madhe, na e kanë dhënë ne detyrën që të kujdesemi për ju që nga momenti që niseni nga shtëpia e deri në momentin që riktheheni në shtëpi.