Fillimi i kësaj jave ka vijuar me reshje dhe temperatura më të ulëta, ashtu siç ishte dita e diel. Sipas parashikimeve të sinoptikanëve, reshjet do të kenë intenistet të lartë vetëm të hënën dhe më pas reduktohen.

“Parashikoj që moti sot të jetë më vranësira, madje me vranësira të dendura. Do të ketë shumë pak intervale me kthjellime. Në mesditë nuk do të mungojnë edhe momentet me reshje herë pas here do të jenë edhe rebeshe, por rebeshe afatshkurta. Parashikoj që reshjet të jenë prezente edhe nesër, megjithatë nesër do të jenë në zonat jugore dhe jug-lindore.“, tha sinpotikanja Lajda Porja.

Prej mesditës së të martës kushtet e motit do të përmirësohen.

“Duke filluar që nga mesdita e ditës së martë e deri ditën e diel do të kemi përmirësim të kushteve të motit. Do kemi largim të reshjeve nga territori shqiptar duke sjellë mot të kthjellët me vranësira prezente, por pa reshje.”

Temperaturat maksimale këtë fillim jave do të arrijnë deri 25 gradë Celsius, dhe më pas do të vijnë duke u rritur gradualisht.

“Që nga mesi i javës do të kemi rritje graduale nga dita në ditë duke bërë që të ngjitemi në vlerat 29 apo 30 gradë.”

Muaji shtator sipas parashikimeve të sinoptikanëve do të mbyllet me temperatura të larta, deri në 30 gradë Celsius, 2 apo 3 gradë më të larta se vlerat mesatare të muajit.