Dita e shtunë regjistroi një rekord infektimesh nga Covid-19 në qytetin e Durrësit. Plot 31 raste, më shumë se 4-fish krahasuar me ditën e premte, kur nga Ministria e Shëndetësisë u deklaruan vetëm 7 raste. Krahasuar me javët e kaluara, kjo që po lëmë pas ka pasur numrin më të lartë të infektimeve që nga nisja e pandemisë në muajin mars. Ditën e martë dhe ditën e diel u regjistruan vetëm nga një rast, ndërsa ditët e tjera shifrat kanë variuar nga 7 në 10 raste ditore. Duket pak e çuditshme që 24 orë pasi u raportua shifër rekord të prekurish me koronavirus në qytetin bregdetar, Ministria e Shëndetësisë raporton vetëm një rast të infektuar ditën e fundit të javës.

Na harkun kohor të 7 ditëve, në Durrës janë prekur nga koronavirusi 67 persona, shifër kjo e paregjistruar asnjëherë më parë.

DurrësLajm mëson se vetëm gjatë ditës së sotme janë marrë rreth 40 tamponë në qytetin bregdetar, rezultatet e të cilave pritet të dalin të hënën apo të martën.

Kjo javë qe mjaft e rëndë për qytetarët durrsakë edhe për shkak të vetëvrasjes së të riut Xhino Koça, që u hodh nga kati i 3-të i spitalit “Shefqet Ndroqi”, ku po kurohej prej koronavirusit. Akti ekstrem i tij la të shokuar jo vetëm ata që njihnin atë apo familjen e tij nga afër, por të gjithë qytetarët e Durrësit. Ndërkohë, dy qytetarë nga Durrësi nuk arritën ta fitonin betejën me Covid-19 gjatë kësaj jave dhe humbën jetën në spital.

Më 16 gusht, në qarkun e Durrësit rezultojnë aktivë me Covid-19 434 persona, ndërsa 31 pacientë e kanë humbur betejën e tyre me koronavirusin që nga fillimi i pandemisë.

Po ndërsa shifrat e rasteve të reja nuk duken aspak premtuese, sepse janë në rritje, fakt shqetësues është karantinimi i rreth 400 personave në Durrës dhe Shijak. Kjo nuk nënkupton që të gjithë janë të prekur nga Covid-19, por kanë familjarë të tyre pozitivë dhe për pasojë i nënshtrohen karantinimit 2-javor.

Rastet me Covid-19 janë të përhapura në të gjitha lagjet e qytetit si dhe njësitë administrative, por pjesa më e madhe e personave të karantinuar janë në lagjet nr.17, 13 dhe 1, si dhe në Ishëm, Sukth, Manëz dhe Shijak. Edhe mosha e personave të karantinuar varion nga fëmijë të vegjël një vjeçarë e deri në të moshuar 86-vjeçarë.

Në listën e të karantinuarve, përveç fëmijëve të mitur dhe pensionistëve, ka dhe shumë të punësuar në institucione shtetërore, banka, të vetëpunësuar, profesionistë të lirë, si dhe të punësuar në privat. Madje, të karantinuar ka edhe në radhët e stafit mjekësor, infermieror apo sanitar në spitalin rajonal apo drejtoritë e shëndetit në qytetin bregdetar. Megjithëse shifrat e të infektuarve dhe të vdekjeve mbeten të larta në qytetin bregdetar, vihet re një indiferentizëm mes shumë banorëve për të respektuar rigorozisht masat parandaluese anti-covid. Në shumë institucione shtetërore dhe bankare vihen re grumbullime njerëzish që shpesh nuk respektojnë distancat në ambientet e jashtme apo e mbajnë maskën të ulur.

Pozitivë me Covid-19 në Durrës sipas ditëve:

10 persona – ditën e hënë

1 person – ditën e martë

7 persona – ditën e mërkurë

10 persona – ditën e enjte

7 persona – ditën e premte

31 persona – ditën e shtunë

1 person – ditën e diel

M.B.