Javën e ardhshme pritet të nisin punimet për ndërtimin e hotelit 16 katësh me 5 yje në shëtitoren “Taulantia”, tek ish-restorant Tivari në Durrës.

Projekti i rëndësishëm, që ka marrë statusin e investitorit strategjik nga qeveria Rama, sjell në qytetin bregdetar një brand ndërkombëtar lider në fushën e hotelerisë, siç është IHG Hotels & Resorts.

Crowne Plaza Durrës do të jetë një godinë shumëkatëshe, me 3 kate nëntokë dhe 16 mbi tokë, ku katet e para do të jenë kryesisht njësi shërbimi dhe salla konferencash, ndërsa katet e tjera hoteleri.

Administratori i kompanisë Mediterranean Investment Group, Dritan Kadiu rrëfen për “DurrësLajm” se investimi është tërësisht shqiptar dhe pritet ta kalojë vlerën 15 milionë euro. Përfaqësuesit e brandit ndërkombëtar kanë qenë para pak kohësh në Durrës dhe janë entuziastë që projekti është finalizuar tashmë dhe është thuajse gjithçka gati për nisjen e punimeve.

Disa nga website më të njohura të turizmit në botë kanë publikuar detaje nga projekti i hotelit Crowne Plaza Durrës duke nënvizuar se ai do të ketë 140 dhoma, restorante, bare dhe lounge, spa, pishinë të brendshme etj.

Investimi në fjalë pritet të hapë një perspektivë të re për zhvillimin e turizmit elitar në Durrës, por njëkohësisht të ketë impakt të drejtpërdrejtë në ekonominë e qytetit dhe sektorin e punësimit.

“Hoteli do të jetë shumë pranë Muzeut Arkeologjik, Forumit Bizantin dhe Amfiteatrit”, shkruan ndër të tjera Business Traveller në një shkrim dedikuar Crowne Plaza Durrës.

Hoteli pritet të përfundojë së ndërtuari në vitin 2024.

Më shumë se 400 hotele në të gjithë botën janë në pronësi të “Crowne Plaza”.

M.B.