Kryesia e Partisë Socialiste zhvilloi një mbledhje këtë të premte, ku i pranishëm ishte edhe Kryeministri Edi Rama. Ai nuk dha një prononcim për mediat pas takimit, por ishte Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri, ai që foli për gazetarët.

Gjiknuri u shpreh se takimi ishte organizativ ku të gjithë anëtarët e Kryesisë dhanë kontributin e tyre pasi u diskutua për strategjinë e fushatës dhe një kalendar aktivitetesh që shumë shpejt do të bëhen publike. Ai theksoi se PS do të respektojë afatet kohore dhe ligjore të fushatës.

“Kemi menduar të mos bëjmë aktivitete të mëdha masive. Nuk duam të bërtasim. Kemi menduar një strategji tjetër. Javën tjetër do të fillojmë aktivitete. Do të synojmë aktivitete më të qeta, takime më të vogla. Ata janë vetë të zhytur në rublat dhe shqiptarët janë të qartë, por strategjia jonë është e ndërtimit të së ardhmes dhe progresit që ka bërë vendi. Duam sigurinë dhe zhvillimin e vendit. Pala tjetër nuk ka asnjë program.

Sa i takon akzuave për Kryemadhin, nuk është çështja se sa herë do deklarojmë ne me një fakt që është bërë publik, i takojnë organeve të drejtësisë që të zbardhin të vërtetën, PS s’do jetë pjesë e konferencave përditë në shtyp për këtë. Faktet janë evidentuar, dhe i takon drejtësisë.

Veçse PS nuk do shpenzojë në këtë fushatë, nga ana tjetër duam të japim mesazhin se mbjellja e pemës është zhvillimi i jetës. Gjithmonë ka vend për mbjellje të pemëve. Logon dhe sloganin tonë politik do të bëjmë publik, por do t’i mëshojmë mesazhit të progresit dhe zhvillimit të vendit”, u shpreh ai.