Teuta fitoi pastër 2-0 me Kukësin në “Niko Dovana” dhe hodhi një hap të çmuar për kalimin në gjysmëfinale. Artan Jazxhi qëndron me këmbë në tokë për sa u përket ndeshjeve dhe rezultateve. Mbrojtësi i Teutës thotë se skuadra duhet të mos entuziazmohet shumë dhe se ndeshja me Vllazninë kërkon vlerësim maksimal dhe do të konfirmojë vazhdimësinë e ekipit.
Një Teutë me dy tablo në ndeshjen ndaj Kukësit. Çfarë ndodhi?
Futbolli i tillë është, por skuadra ju përgjigj lojës mjaft mirë. Edhe pse në pjesën e parë bëmë ca gabime që janë normale, në të dytën bëmë lojën tonë dhe realizuam. Sidoqoftë, i uroj shokët për lojën e mirë që bënë. Për mua asgjë nuk ka mbaruar, sepse janë edhe 90 minuta të tjera. Të gjithë duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë.
Jeni një hap larg gjysmëfinales?
Siç e thashë dhe më lart, kemi për të luajtur edhe 90 minuta të tjera. Shpresojmë dhe besojmë që të bëjmë një ndeshje të mirë edhe në Kukës, dhe pastaj mund të mendojmë për gjysmëfinalen. Kjo fitore na jep edhe një bonus në anën psikologjike.
Luani me Vllazninë të hënën, çfarë prisni nga ky takim?
Luajmë përballë një kundërshtari shumë të fortë, besoj se janë një nga tri ekipet me të mira të kampionatit për momentin. Rëndësia e kësaj ndeshjeje dihet. Ne do të futemi në fushë me besimin maksimal që të marrim një rezultat pozitiv. Nuk hyjmë në fushë me mendimin që thjeshtë të mos humbasim. Ky kampionat ka treguar se nuk ka diferenca. Kush përqendrohet dhe jep më të mirën mund të fitojë.
A do ta ruajë Teuta vazhdimësinë edhe ndaj Vllaznisë?
Fitorja me Tiranën dhe Kukësin nuk ngjajnë, pasi kishin specifika të ndryshme ndeshjet. Normalisht do të na pëlqente vazhdimësia. E besoj dhe e them se kthesa vjen gradualisht. Vazhdimësia është e rëndësishme. Fitorja me Vllazninë do të ishte një bonus i madh.
Duket se repartet po funksionojnë siç duhet te Teuta. Mendoni kështu?
Loja kolektive është e mirë në futboll. Ekipi bën bllok edhe në mbrojtje, edhe në sulm. Ekipi që bën më shumë lojë kolektive, do të ketë më shumë mundësi për fitore. Ne kemi punuar dhe kemi qenë mirë në këto faza të lojës dhe besojmë shumë te fitorja.
Kjo Teutë është thjesht për mbijetesë apo mund të shikojë edhe më lart?
Për atë që kemi treguar, për momentin jemi aty ku duhet, por kjo gjë nuk tregohet me fjalë, por bëhet me vepra. Në momentin që ne do të tregojmë më të mirën tonë dhe të marrim rezultate pozitive, mund të themi se meritojmë më shumë. Duhet të tregojmë me punë dhe me rezultate se nuk jemi aty ku na takon. Duhet t’i marrim ndeshjet një e nga një dhe t’i konsiderojmë të gjitha me atë seriozitet, përqendrim dhe agresivitet që kemi treguar ndeshjet e fundit.