Ndërprerja e kampionatit i ka shërbyer më së miri ekipit të Teutës.

Kjo pasi, përveçse ka pasur mundësinë të përgatitet sa i përket rritjes së formës fizike, ka dhe harmoninë në favor.

Mbrojtësi i bluve, Artan Jazxhi, ka analizuar gjendjen e ekipit, ndërsa ka shprehur dhe synimet për sfidën e radhës, të cilën do ta zhvillojnë ndaj Tiranës.

A po ju shërben kjo ndërprerje kampionati dhe si është gjendja e ekipit?

Kjo ndërprerje ishte perfekte për lojtarët që nuk ishin ende në formën më të mirë, pasi po u jepet mundësia dhe koha që të rimarrin veten pas ndeshjes së fundit. Mendoj që deri diku po na shkon për shtat kjo pauzë, ndërsa sa i përket gjendjes, mund të them se jemi në formë shumë të mirë. Shyqyr Zotit të gjithë çunat janë duke u stërvitur me dëshirë dhe pasion.

Për Teutën rikthehet kampionati të premten, ku luani përballë Tiranës. Çfarë prisni nga kjo ndeshje?

Pres vetëm që të fitojmë dhe bëjmë një ndeshje të mirë. Duhet të vijojmë me trendin e fitoreve dhe të kemi vazhdimësi të rezultateve të mira.

A do të ishit i kënaqur me barazim?

Unë do isha i kënaqur të bënim një ndeshje të mirë dhe të fitonim. Rëndësi ka që të shënojmë gola, edhe pse dihet që është një ndeshje e cila ka specifikën e saj. Gjithsesi, e rëndësishme është fitorja. Normale që gjëja më e mirë do ishte sikur të triumfonim pa pësuar gol, por në futboll ndodh edhe që të pësosh. Është një takim i fortë ku pritet çfarëdolloj rezultati.

Kujt i bëjnë më shumë punë pikët?

Nuk dua të mendoj për kundërshtarin, pasi asnjëherë nuk e kemi bërë një gjë të tillë. Ne mendojmë vetëm për veten tonë dhe kjo na ka bërë të ecim përpara. Na nevojitet mjaft ky trepikësh, pasi duam të ngjisim shkallët në renditje. Vendi i ky jemi në kampionat nuk i shkon për shtat Teutës.

Pas 28 javësh, cili është kundërshtari qe do ta quanit me të fortë?

Sigurisht që këto 28 javë, skuadrat janë në një nivel dhe do të luftojnë me njëra-tjetrën. Është kampionat i balancuar dhe do të triumfoi ai që do të ketë formën më të mirë. Mendoj se 3-4 skuadra do të luftojnë së bashku.