Teuta do të nisë sezonin e ri në Superiore përballë Bylisit të sapo rikthyer mes më të mirave. Këtë javë skuadra e Martinit po vijon përgatitjet për këtë ndeshje, ndërsa qendërmbrojtësi Artan Jazxhi shprehet se ndaj ballshiotëve nuk do të jetë e lehtë. Gjithsesi, ai mendon se ekipi durrsak do të marrë një rezultat pozitiv në këtë javë të parë të kampionatit.

Si shkoi faza përgatitore dhe si është gjendja e skuadrës deri tani?

Mund të them me bindje të plotë se faza përgatitore e zhvilluar këto 2 muaj, shkoi mjaft mirë. Kemi punuar në kushte mjaft komode, dhe me dy seanca në ditë. Kemi marrë ngarkesën e plotë dhe natyrisht që kushtet ndikojnë në këtë drejtim. Lajmi i mirë është që nuk kemi pasur dëmtime dhe kështu kemi pasur mundësinë të punojmë me grup të plotë.

Nisni zyrtarisht të mendoni për Bylisin. Çfarë prisni?

Është e vështirë, e dimë. Sa i përket ndeshjes hapëse duam ta nisnim pozitivisht me Bylisin, por çdo ndeshje është një histori më vete, e kemi vlerësuar maksimalisht kundërshtarin dhe jemi në gjendje pozitive, por nuk është edhe aq e lehtë. Të shohim.

Duke qenë se është java e parë, keni disi presion për të marrë pikët e plota me Bylisin?

Ne e dimë që në çdo ndeshje ka presion dhe në çdo ndeshje kërkojmë maksimumin. Por, jemi të qetë. Me presion shpesh ndodhin gjëra jo të këndshme. Ne kemi motivimin e duhur, dhe aspak presion. Jemi një grup i ri, kështu që kemi durim dhe besim, por jo presion.

Kujt i druheni më shumë dhe çfarë vlerësoni më shumë nga kundërshtari?

Bylisi ka një ekip të mirë dhe 11 titullarë që kanë shumë cilësi, por dhe ne nuk jemi për tu nënvlerësuar. Ekipi i ka mundësitë që nga ndeshja në ndeshje të rrisë performancën. Kemi lojtarë cilësorë dhe që duan me patjetër të korrin sukses.

Deri ku mund të shkojë Teuta këtë sezon?

Jemi ende herët për të dhënë verdikte ku mund të arrijmë. Të dielën nis seria e ndeshjeve të kampionatit. Na presin ndeshje të vështira, por unë mendoj që do t’i arrijmë ato objektiva që kemi, pasi kemi shumë ndeshje përpara dhe shpresojmë që të kemi një sezon të suksesshëm.