Teuta po përgatitet për ndeshjen e së premtes në transfertë ndaj Laçit, që do të luhet në 16:00. Mbrojtësi Artan Jazxhi pranon se ndeshja do të jetë e vështirë, por sipas tij, skuadra është gati për të marrë maksimumin e pikëve në Laç. Shtatlarti i mbrojtjes durrsake mendon se ekipi i ka të gjitha mundësitë për të përsëritur atë paraqitje që bëri edhe kundër Tiranës.
Artan, do të luani ndaj Laçit të premten, çfarë prisni nga kjo ndeshje?
Laçi është një skuadër e fortë, ka elementë të rinj dhe me eksperiencë brenda. Janë një skuadër pragmatiste, por ne do të mundohemi të zhvillojmë një ndeshje të mirë. Ne shkojmë përballë Laçit me objektiva të qartë.
Pas ndeshjes me Tiranën në ekip është parë eufori…
Mendoj që duke filluar nga unë dhe të gjithë çunat janë me këmbë në tokë. Këtë gjë kemi folur gjatë gjithë kohës. Ne e dimë që kampionati është i gjatë. Do t’i marrim ndeshjet sipas radhës, nuk ka vend për eufori, sepse nuk kemi bërë asgjë.
Keni më shumë ditë për ta përgatitur këtë takim, më mirë për ju apo ishit në tonus dhe ju bëri keq ndërprerja?
Këto janë gjëra që nuk i vendosim ne, por jam i bindur që ekipi ka forcën dhe shpirtin e garës për t’u paraqitur në fushë sa më mirë të jetë e mundur. Do të jetë një ndeshje shumë e fortë.
Çfarë duhet të bëjë Teuta që të ruajë vazhdimësinë edhe në Laç?
Duhet të jemi shumë të kujdesshëm në çdo aspekt, pasi në futboll mjafton një rast për të ndëshkuar. Lëvizjet tona duhet të jenë të mirëmenduara dhe të mos lëmë shumë hapësira për kundërshtarët. Gjithashtu duhet të konkretizojmë rastet e krijuara.
Është barazimi i pranueshëm në një ndeshje si kjo?
Kur luajnë dy ekipe të forta çdo gjë është e mundur, ne do të japim maksimumin tonë. Ne futemi në çdo ndeshje për fitore.