JEMEN, 17 SHKURT 2013– Gjykata Penale e Shkallës së Parë në Mukalla të Jemenit dënoi me 6 vjet burg marinarët shqiptarë të anijes, që transportonte 179 ton municione dhe që u sekuestrua nga autoritetet e Jemenit dhjetorin e kaluar, në portin e Mukalla. Lajmi bëhet i ditur nga agjencia e lajmeve AFP, e cila citon nje burim gjyqësor. Gjykata Penale kundër terrorizmit në Hadramout i ka dënuar shtetasit shqiptarë me nga 6 vjet, pasi akuzohen për kontrabandimin e rreth 180 ton municione dhe eksplozivi.
Vendimi u mor sot nga një trup gjykues, që e dha dënimin për kapitenin dhe 2 marinarët shqiptarë, nën akuzën “për posedim dhe trafik municionesh shpërthyese”. Gjithashtu gjykata vendosi edhe konfiskimin e municionit që gjendet në anije. Kapiteni shqiptar Arif Bakillari, nga Durrësi si dhe oficeri i parë Mihal Cangonji e kryemekaniku Nezir Shahaj, do t’i duhet tani të kalojnë 6 vite në burgjet e Jemenit. Në bordin e anijes EOS ndodheshin edhe tre marinarë të tjerë, dy indianë dhe një grek. Deri tani vetëm marianari grek ka mundur të lirohet dhe është kthyer në atdhe. Shqiptarët mësohet se do të apelojnë vendimin.
Prokuroria jemenase i akuzoi 3 marinarët shqiptarë për posedim dhe trafik të një sasie të madhe municionesh shpërthyese dhe armësh, në sasinë prej 179,051 tonë, të cilat u sollën nga jashtë vendit. Po sipas akuzës, anija ka hyrë në ujërat territoriale të Jemenit nëpërmjet portit të Mukallas, nën pretekstin e furnizimit me karburant, dhe marinarët kanë bërë deklarata të rreme para autoriteteve të Jemenit.
Prokuroria e Jemenit arsyeton se marinarët kanë transportuar në bordin e anijes materiale të rrezikshme, në kundërshtim me ligjet e vendit islamik dhe me rregullat dhe konventat ndërkombëtare. Ata akuzohen se do ta kalonin dërgesën në destinacione të organizatave të dyshimta apo grupe ilegale, që do të rrezikonte sigurinë e shoqërisë.





