JEMEN, 6 tetor 2013 – Tentohet rrëmbimi i ambasadores gjermane, Carola Müller-Holtkemper, por vritet truproja.
 
Ish-ambasadorja gjermane në Shqipëri, prej pak muajsh ka marrë detyrën e re në Jemen, por siç bën të ditur agjencia e lajmeve Reuters, teksa po dilte nga një dyqan, e shoqëruar nga truproja, disa persona të armatosur tentuan rrëmbimin e ambasadores.

Dyshohet se ata janë njerëz të Al Qaeda-s, të cilët duke hasur si pengesë truprojën që po kryente detyrën, kanë hapur zjarr mbi truprojën, duke e vrarë atë. Nuk bëhet ende i ditur identiteti i viktimës.
 
Autorët u larguan me automjet nga vendngjarja, ndërsa mësohet se ambasadorja i ka shpëtuar sulmit pa dëme. Lajmi konfirmohet edhe nga burimet diplomatike perëndimore.

Holtkemper e ka përfunduar misionin e saj 3-vjeçar diplomatik në Shqipëri në 2 korrik 2013.