Një biznesmen i ri është marrë peng në kryeqytet nga tre të rinj, dy prej të cilëve u arrestuan këtë të hënë nga policia e kryeqytetit.
“Në kuadër të operacionit: -u ndaluan shtetasit H. N., 33 vjeç dhe K. N., 25 vjeç; -u shpall në kërkim shtetasi J. N., 28 vjeç, banues në Xhafzotaj. Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, kanë marrë me forcë në automjet 32-vjeçarin, e kanë kanosur dhe ushtruar dhunë ndaj tij, me qëllim përfitimin e një vlerë monetare.”, bënë me dije uniformat blu.
Klan News raporton se dy vëllezërit K.N dhe J.N si dhe djali i xhaxhait të tyre H.N janë të njohur për policinë me precedent penal për vjedhje dhe konflikte të ndryshme, por edhe si përdorues droge.
I rrëmbyeri është një biznesmen nga Divjaka me inicialet F.S dhe gjatë kohës, autorët i kanë monitoruar të gjitha lëvizjet e tij.
32-vjeçari ka qenë duke pirë kafe në afërsi të zonës së ish-Parkut, dy vëllezërit dhe kushëriri i tyre i janë afruar sapo është çuar nga kafja në një rrugicë ku i janë prezantuar si agjentë të BKH-së dhe e kanë futur në makinë.
Fillimisht i kanë kërkuar 2 milion euro, por pasi 32-vjeçari ka kundërshtuar ata e kanë dhunuar dhe më pas i kanë kërkuar 1 milion euro, por sërish i riu ka thënë se nuk ka aq para.
Tre autorët më pas i kanë kërkuar “500 mijë euro” ku e kanë liruar që ky të shkonte të merrte paratë. Ata e kanë mbajtur gjithë natën në magazinën në Xhafzotaj dhe e kanë liruar në mëngjes.
Biznesmeni menjëherë i është drejtuar policisë ku i ka treguar rastin. Dy të arrestuarit nuk kanë dhënë deklarime para grupit hetimor.





