E dimë se është oportuniste në raport me masat që na konsumojnë kur mediat tona dalin më mirë duke bërë reality show të politikës, duke u përqendruar në negativitet.

Mirëpo, tani shihet se, si media, i kemi kaluar disa limite. Jemi kapur në lojën vicioze që e krijuam vetë. Ne jemi ndër shkaqet primare të degradimit të politikës në spektakël bulevardesk, ashtu siç e përshkruan përpikërisht Mario Vargas Llosa në veprën e tij “Gjithçka Bulevard”, ku thotë se “kush humb kulturën e tij, humb edhe veten”.

Ne, mediat, humbëm kulturën mediale dhe veten, ndërsa rrugës për në varr duam të marrim me vete edhe binjaken tonë aq të dashur – politikën.
E vërteta?
Informimi objektiv?
Kush çan kokën për këtë punë.
Ne, mediabërësit, ndonjëherë më së paku.
Ky është bumerang. Mediat duhet të jenë më shumë se agjent pushtetesh dhe politikash.

Pyetja e vërtetë nuk është ajo që po ndodh në mes të Ramës dhe mediave, por ajo që po ndodh mes mediave dhe realitetit.
Unë mendoj se ne, si media, shumë shpesh harrojmë se para së gjithash duhet të ndërmjetësojmë mes ngjarjeve dhe publikut – për të informuar.

Në realitet, gjithnjë e më shumë duam të jemi ata që krijojmë ngjarje, vendosim rendin e ditës, vendosim atë që është e rëndësishme sipas standardeve tona dhe jo atyre që me të vërtetë kanë rëndësi. Në vend se të kërkojmë shfaqjen e realitetit, ne bëjmë çmos që të na jepet material për ta shfaqur një botë ashtu siç do të donim ne: skandaloze, plot intriga, interesante, zbavitëse për masat. Mos e joshëm, madje edukuam, edhe politikën që të na ofrojë sa më shumë ndodhi të këtij lloji?

Nuk e mendonim këtë derisa politika na tregoi dhëmbët, na preku edhe ne. Dhe këtë prekje po e përjetojmë si thikë pas shpinë, apo si refuzim i politikës që ta bëjë lojën tonë.

Edi Rama është duke vepruar si të gjithë politikanët tjerë deri më tani. Jo sepse ai ekskluzivisht donte kështu, por sepse ne e krijuam kontekstin ku kjo është mënyra e vetme për të vepruar. Reagimin e Ramës mund ta reduktojmë tamtamçe, siç e kemi zakon në neurozë të tij, në strategji dandeske të kryeministrit shqiptar për ta spostuar vëmendjen nga krizat edhe më të mëdha.
Mund të bëjmë si të duam.

Por, a do na shpëlajë kjo ne si media për t’i ikur përgjegjësisë?

Reagimi i Ramës mua personalisht më tepër më del si shprehje e një frustrimi politik ndaj një sistemi mediatik që për bazë nuk e ka kryekëput informimin objektiv të masave, por pa përgjegjësinë minimale dhe në interes të agjendave të caktuara politike dramatizon deri në eksplodim gjithçka – jo për të zbardhur e shënjuar probleme, por për t’u hakmarrë. Për ta bërë mentalitetin aq të nxehur saqë të plasë vetvetiu bashkë me politikën, në këtë rast me qeverinë.

Kështu veprojmë ne, mediat. Shumica prej nesh.
Pse?
Sepse, “kush paguan na përdor”?
Jo patjetër.

Më shumë qëndron kjo: ne u ndihmojnë politikanëve të krijohen – për t’i përdorur pastaj, duke u dhënë atyre përshtypjen iluzore se na paskan front për vete. Dhe kur del një politikan që nuk futet dot brenda këtij sistemi mediatik, plas sherri. Si Rama, ngase ai nuk është produkt mediatik.

Performanca e tij nuk është thjesht estetike dhe sikurse ligjërimi i tij nuk është thjesht retorik, ashtu qëndron edhe fakti se Rama ka bërë ndryshimin më të thellë politik në terren që nga fillimi i tranzicionit deri sot. Natyrisht, në Shqipërinë e tashme ka vend për shumë kritika. Por, në rrethanat e Shqipërisë, nuk ka pasur asnjë qeveri qendrore më shoqërisht të përgjegjshme dhe institucionalisht më zhvilluese se kjo. Mediat janë të fundit, njëjtë si opozita pa kredibilitet dhe vizion, që mund ta kontestojnë këtë.

2. Fakti që sot, në vitin 2018, ne ende po diskutojmë për raportin kaq të përlyer të mediave me politikën, sipas mendimit tim, vetvetiu, pa na thënë kush, na bën Kazan.

Jemi bërë çorbë e pashikueshme.

Ne duhet të jemi shumë më shumë se sa të bëhemi temë. Edhe më keq: ndonjëherë jemi aq narcistë, tiranë, me pikëpamjet tona, saqë besojmë në këtë dhe në çdo jetë të mundshme të ketë vetëm një realitet: Ne! Dhe askush tjetër.Vetëm si themi ne, se ndryshe kot është.

Ne bëjmë çmos që mos të ketë realitet ndryshe nga ai fiktivi që duam me çdo kusht t’ia imponojmë edhe pushtetit, qeverisjes, politikës, xehetarisë dhe bujqësisë.

Çfarë po ndodhë me ne?

Punë e politikanëve është ta gjejnë mënyrën më të mirë për të nxitur agjendën me të cilën ata mendojnë se duhet të bëjnë dallimin. Ne, mediat, krijuam kontekstin në të cilin mund të zgjidhni midis aspekteve të ndryshme të realitetit, ose, versioneve më të këqija, shumë shpesh të ndryshme, të realitetit.

Kjo është pyetja e vërtetë që duhet t’ia parashtrojmë vetes.

Sepse duke menduar se ne jemi më të rëndësishmit, na mungon të shohim se gjithnjë e më shumë publiku e dyshon këtë. Dhe gjithnjë e më shumë mendon për ne si për ata që e shqetësojnë të vërtetën dhe nuk e dorëzojnë atë.

Shikuar nga etika profesionale, mungesa e dallimeve të qarta nga politika na vizaton një portret shumë më të keq se Kazani – edhe për arsye se jemi të papërtypshëm, që e bën Kazanin shumë me funksional dhe më fisnik se mediat.

3.Çfarë është produkti ynë mediatik sot?

Fakti që ne si media e shtrojmë këtë pyetje tregon se ende e kemi të vështirë ta kuptojmë cakun tonë për t’i shërbyer publikut, për të vërtetën që i duhet dhe e dëshiron. Ne e shohim veten si ndërmjetës të fuqisë dhe tani ndjehemi të sulmuar. Kur ndjehemi të sulmuar, ne do të dëshironim ta zhvendosnim përsëri balancën e fuqisë për të mirën tonë.

Dhe përsëri: A nuk e lëmë shpesh veten të përdoremi për agjendat e pushtetit duke hequr mundësinë që ta forcojmë pozicionin tonë? Natyrisht, shumë prej nesh përfundojmë si agjentët e pushtetit. Shumë shpesh bëjmë kështu duke dashur të besojmë se e bëjmë atë për të mirën publike, edhe pse shumica e publikut mund të kenë pasur ose kane ide të ndryshme. Jemi të joshur nga fuqia e njëjtë politike që e gjejmë në mënyrë të pabindur tek të tjerët. Ne duhet të fillojmë t’i bëjmë punët tona më mirë, duke e informuar publikun më së miri që dimë. Kjo është fuqia jonë e vërtetë./Express