U zhvillua këtë të enjte mbledhja vjetore e Këshillit Koordinues të Diasporës. I pranishëm në takim ishte edhe kryeministri Edi Rama.

Ai u shpreh para përfaqësuesve të diasporës është se qeveria qëndron me kokën lart para shqiptarëve jashtë atdheut pasi vota për ta, tanimë është një mision i përmbyllur.

Puna për ta realizuar, sipas Ramës, ka qenë jo e lehtë. Rama u shpreh se vështirësia e procesit aktualisht qëndron vetëm në regjistrimin si votues në diasporë duke qenë se bëhet për herë të parë në vendin tonë.

“Jemi sot me kokën lart përpara gjithë shqiptarëve jashtë atdheut edhe për një arsye që tanimë është një mision i përmbyllur për të paktën sa na takon ne, vota e diasporës. Një mision jo i lehtë, për hir të së vërtetës dhe një mision që është i lidhur me një vullnet që shkon përtej ndasive partiake dhe që kërkon një votë më të madhe në numër sesa ajo e një shumice qeverisëse, arsye për të cilën jemi vonuar për një kohë të gjatë, por më në fund unë besoj edhe si rezultat i punës së Këshillit Koordinues të Diasporës dhe mobilizimit të zërave në diasporë u realizua dhe sot jemi në prag të një procesi zgjedhor kur për herë të parë në historinë demokratike të Shqipërisë qytetarët shqiptarë jashtë vendit do duhet të ushtrojnë të drejtën e votës pa pasur detyrimin pa udhëtuar drejt Shqipërisë ,por thjesht duke përdorur postën nga aty ku banojnë. Është një sfidë më vete. Nuk e shoh kryetarin e KQZ, por me siguri do jetë i pranishëm më tutje për të dhënë dhe ai këndvështrimin e tij teknik mbi vështirësitë e këtij procesi dhe mbi nevojën e mobilizimit të të gjithëve për ta ushtruar atë të drejtë sepse ka një proces që herën e parë është kompleks për të realizuar regjistrimin si votues në diasporë dhe pastaj bëhet më i thjeshtë që në momentin që personat janë të regjistruar”, tha Rama.