“Jemi shumë të pakënaqur me punimet që po bëhen. Ka filluar, ka një vit e ca dhe akoma ne jemi kështu, në hava.”

Kështu deklaroi paraditen e sotme një nga banoret e kompleksit “Jedas” në Durrës, godina shumëkatëshe e dëmtuar rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

Në protestën e organizuar nga banorët, ata ngritën zërin për vonesat në mbylljen e punimeve, që po bëhen për riforcimin e pallatit. Banorët kane nënshkruar një shkresë, ku i kërkojnë institucioneve përgjegjëse shpjegime se përse projekti nuk po zbatohet ashtu siç u prezantua ne fillim.

Njëkohësisht, banorët kërkuan dhënien e bonusit të qirasë, sepse prej tre muajsh, nuk po u kalojnë paratë duke i vënë në vështirësi të mëdha financiare.

Sipas njërës prej protestueseve, në dokumentet zyrtare që ato disponojnë, afati i përfundimit të punimeve ishte data 20 dhjetor 2021, afat që nuk është respektuar aspak. Ndërsa autoritetet nuk u kthejnë asnjë përgjigje lidhur me vonesat dhe arsyet e këtyre vonesave.

Banorja ngriti shqetësimin edhe përsa i përket ndërhyrjes së parashikuar në projekt për bërthamën e shkallëve dhe ashensorit që nga kati i parë deri në të dymbëdhjetin. Sipas saj, nga burime jozyrtare kanë mësuar se megjithëse ekziston një projekt i miratuar për riforcimin e godinës, do të bëhen ndryshime thelbësore në projekt. Nga ana tjetër, qytetarja theksoi se nuk po respektohet as kalendari i punimeve, ndërsa ndërhyrja po bëhet deri në katin e 5-të dhe jo të 12-in siç është parashikuar në projekt.

Kompleksi “Jedas” ishte ndër godinat më të dëmtuara në Durrës dhe prej më shumë se 2 vitesh, 271 familjet që jetonin në të detyrohen të strehohen në shtëpi me qira, në pritje të përfundimit të procesit të riforcimit.

M.B.