Nga Mila Ballhysa
Një ditë më parë, stina e Pranverës hyri zyrtarisht, duke sjellë me vete edhe rritjen e temperaturave, që për hir të së vërtetës ishin relativisht të larta edhe në fund të muajit shkurt.
Rritja e temperaturave dhe zgjatja e ditës shoqërohen me shtimin e lëvizjes së qytetarëve, që nisin të dalin më shpesh dhe më gjatë në natyrë, krahasuar me stinën e ftohtë që sapo lamë pas.
Zona e plazhit në qytetin e Durrësit nis të kthehet në këtë periudhë në një destinacion të preferuar për familjarët dhe të rinjtë, që kalojnë orë të paradites ose pasdites, duke bërë një shëtitje buzë detit.
Shtimi i lëvizjes së njerëzve i paraprin fluksit të pushuesve, që është më i lartë kryesisht në fundjavë, kur shumë familje i drejtohen bregdetit për të kaluar një ditë pushimi ndryshe nga ato të zakonshmet.
Frekuentimi i rregullt i kësaj zone turistike normalisht duhet të shoqërohet me një vëmendje më të shtuar nga ana e pushtetit vendor, institucionet përgjegjëse të të cilit duhet të marrin masa për garantimin e kushteve sa më të mira për qytetarët dhe pushuesit që i drejtohen zonës së plazhit.
Të paktën në teori gjërat duhet të funksionojnë kështu! Sepse në praktikë realiteti është shumë larg asaj që duhet të ofrojë një zonë turistike.
Pranë redaksisë sonë, një qytetar i zonës së plazhit ka dërguar disa foto, të shkrepura paraditen e sotme, në afërsi të zonës të njohur me emrin “Rrota e kuqe”.
Siç mund të shihet lehtë nga pamjet, ajo që gjithkush sheh me sy të lirë është shumë larg imazhit që duhet të ofrojë një zonë turistike.
Rrugë të amortizuara, baltë dhe ujë që vështirësojnë lëvizjen e përditshme të banorëve të zonës.
Për të garantuar një imazh të denjë të zonës turistike, ndërhyrjet e strukturave përgjegjëse në Durrës duhet të jenë emergjente.
Nëse do të pritet afrimi i sezonit turistik, gjithë “arsenali” shtetëror do të angazhohet në fushatën zgjedhore dhe pushuesit mund të përballen po me këtë pamje, kur të nisin të frekuentojnë plazhin e Durrësit.
Gjithsesi, këto foto mund të shërbejnë edhe për t’i kujtuar pushtetarëve se një ndërhyrje për përmirësimin e infrastrukturës në këtë zonë mund të përkthehet në vota nga elektorati në zgjedhjet e 18 qershorit…





