Dy persona nga Berati janë arrestuar nga policia, pasi iu prezantuan uniformave blu si punonjës të SHISH-it. Dy të arrestuarit kanë qenë duke ndjekur një të ri nga Durrësi i cili ndodhej në Berat, dhe pas denoncimit të këtij të fundit, ata u ndaluan nga efektivët e Beratit.

“Alfred Kallmi 41 vjeç dhe Antonio Toska 24 vjeç, të dy nga Berati, duke udhëtuar me automjetin tip Benz me targa AA 969 MX, në rrugën nacionale  Berat-Ura Vajgurore, në Moravë, kanë ndjekur nga pas duke i kërkuar të ndalojë automjetin me drejtues shtetasin F.F, 30 vjeç, banues në Durrës.

Drejtuesi i mjetit ka njoftuar Policinë se një automjet me dy persona civilë po e ndiqte nga pas duke i kërkuar të ndalonte. Menjëherë shërbimet e policisë kanë ndërhyrë duke bërë bllokimin e automjetit së bashku me dy personat, të cilët në momentin e ndalimit nga Policia janë prezantuar si punonjës të Shërbimit Informativ Shtetëror”, bëri të ditur policia.

Automjeti tip Benz dhe dokumentet me të cilat pretendojnë se janë punonjës të Zyrës Qendrore Investigative me qendër në Tiranë u sekuestruan, ndërsa të dy autorët e ngjarjes akuzohen për “Përvetësim të titullit apo të detyrave shtetërore”.