Pronari i një lokali në fshatin Bishqem është tentuar të merret peng nga persona ende të paidentifikuar në superstradën Peqin-Elbasan. Petrit Saliu, 60 vjeç, është ndaluar nga dy persona me maska në fytyrë, ndërsa po shkonte me makinë për në shtëpi pak minuta pasi kishte mbyllur lokalin, shkruan “Panorama”. 

Sipas Policisë, autorët, të cilët udhëtonin me një automjet tip “Benz”, i kanë bërë shenjë për të ndaluar Saliut. Në momentin e ndalimit, autorët janë prezantuar si punonjës policie dhe dyshohet se kanë tentuar të merrnin me forcë në automjetin e tyre Saliun, pasi i kanë vendosur dhe prangat.

Ky i fundit ka kërkuar ndihmë dhe pas kësaj kanë dalë fqinjët e tij për të parë se çfarë po ndodhte. Më pas, personat që tentuan ta merrnin me forcë janë larguar me shpejtësi.

Sipas Policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:30 të së mërkurës. 60-vjeçari Saliu ka mbyllur lokalin, të cilin e ka në pronësi të tij dhe ku punojnë si familje, dhe ka hipur në mjetin e tij për të shkuar në shtëpi.

Sapo ka dalë në superstradë, ka treguar Saliu dy persona me maskë vetëm në fytyrë me një makinë tip “Benz”, e kanë ndaluar dhe i janë prezantuar si punonjës të policisë. Në momentin që 60-vjeçari ka ndaluar makinën, njëri nga personat e maskuar ka hapur derën e mjetit, duke tentuar që ta nxjerrë jashtë me forcë, duke i vendosur në njërën dorë prangat. Në këtë moment 60-vjeçari Saliu, i cili ka dyshuar se personat nuk janë efektivë të Policisë, ka nisur të bërtasë dhe më pas kanë dalë fqinjë të tij e personat kanë hipur menjëherë në mjet dhe janë larguar me shpejtësi drejt qytetit të Elbasanit.

Sakaq 60-vjeçari nuk ka mundur dot t’i identifikojë, por pas kësaj Policia ka nisur menjëherë hetimet. Kjo e fundit dyshon se qëllimi i personave të maskuar ka qenë që ta merrnin peng 60-vjeçarin, nisur edhe nga fakti se i moshuari ka në fshatin Bishqem një vilë luksoze dhe në këtë mënyrë mund t’i kërkonin familjes së tij në këmbim një shumë parash.

Gjatë dëshmisë së dhënë në Komisariatin e Elbasanit, edhe vetë 60-vjeçari ka pohuar se nuk ka hasmëri me njeri dhe gjithashtu nuk ka pasur as konflikte kohët e fundit. Sipas Policisë, personat e maskuar e kanë mbajtur nën vëzhgim dhe janë vënë në ndjekje të tij në momentin që ai ka mbyllur lokalin, në mënyrë që gjithashtu t’i grabisnin edhe paratë e xhiros.

Policia ka nisur hetimet për të zbardhur të plotë ngjarjen, ku ka bërë shoqërimin në komisariat të mbi 15 personave të ndryshëm për të marrë më shumë informacion, që do të çojë në zbulimin e autorëve të dyshuar.ër veprime të mëtejshme për veprën penale “Përvetësimi i titullit apo i detyrës shtetërore” dhe “Heqja e paligjshme e lirisë mbetur në tentativë” parashikuar nga nenet 246, 110 dhe 22 të Kodit Penal.