Policia ka vënë në pranga dy persona, të cilët hiqeshin si policë dhe grabisnin njerëzit.

Kjo ka ndodhur në Kavajë, ku janë arrestuar Fatjon Ahmetaj, 30 vjeç, i dënuar më parë për vjedhje, dhe Ermir Bollmoshi, 26 vjeç.

Mësohet se ditën e djeshme, shërbimet e policisë Kavajë, në sajë të informacioneve të marra në rrugë operative kanë finalizuar operacionin e koduar “Polici i rremë” duke arrestuar dy kavajasit.

Më datë 30.07.2017, këta shtetas janë identifikuar te “Mali i Robit”, si punonjës policie te shtetasit E.Gj., 17 vjeç dhe E. H., 17 vjeç, të cilëve iu kanë marrë çantat e krahut dhe 3 telefona celularë. “Jemi të policisë, do ushtrojmë kontroll”, kanë deklaruar ata dhe në momentin që dy adoleshentët kanë ndaluar, ata iu kanë marrë çantat dhe celularët.

Policia ka sekuestruar një dokument të rremë me logon e Policisë së Shtetit dhe 3 celularët.

Materialet u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kavajë, në ngarkim të shtetasve të mësipërm për veprat penale “Vjedhje e kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”.